Pas paralajmërimit të Çekisë se do kërkojë rikthimin e regjimit të vizave për Shqipërinë dhe Serbinë, vende që shërbejnë si pikë kalimi nga emigrantët e vendeve të treta, ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi ka zhilluar një takim me ambasadorin serb në Tiranë.
Përmes një postimi në Tëitter, Çuçi zbulon dhe detaje nga ky takim, ndërsa thekson se është diskutuar bashkëpunimi për çështje që prekin dhe rajonin, si dhe flukset e emigrantëve nga Afrika dhe Lindja e Mesme që kalojnë tranzit përmes vendit tonë në BE.
“Prita sot në një takim ambasadorin e ri të Serbisë në Tiranë, ambasadorin Vukcevic, me të cilin diskutuam për intensifikim të bashkëpunimit dypalësh të vendeve tona dhe bashkëpunimin në një hapësirë më të gjerë rajonale si OpenBalkan. Folëm gjithashtu për bashkërendimin e punës për adresimin e sfidave të përbashkëta si lufta kundër krimit të organizuar, lufta kundër terrorizmit dhe përballja me flukset migratore që vijnë tranzit në vendet tona nga Afrika dhe Lindja e Mesme me destinacion final BE-në.”, shkruan Çuçi në Twitter.
Dy ditë më parë, presidenca e Çekisë në një komunikim zyrtar tha se një numër i lartë azilkërkuesit po depërtojnë drejt shtetit të tyre dhe në BE përmes Shqipërisë dhe Serbisë, ndaj dhe paralajmëroi një rikthim të vizave për dy vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Shtetasit nga Turqia, Tunizia, India, Kuba dhe Burundi, në veçanti, hyjnë legalisht (pa viza) në Serbi (dhe nga disa prej këtyre vendeve edhe në Shqipëri) dhe një numër shumë i lartë lëviz në mënyrë të parregullt më tej drejt shteteve anëtare të BE-së”, thuhet në reagimin e Presidencës çeke.