Ceremonia e Trampit, Rama nuk merr pjesë, shkojnë Basha dhe Mediu

0
2152

Kryeministri shqiptar, Edi Rama nuk do të shkojë në Uashington DC për të marrë pjesë në ceremoninë e betimit të Presidentit të ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.

Ndërsa opozita ka vendosur të jetë pjesëmarrëse me liderin e saj, Lulzim Basha dhe kreun e partisë së dytë më të madhe të koalicionit të djathtë, Fatmir Mediu.

Mesohet se nga qeveria dhe Partia Socaliste do të marrin pjesë vetëm ministri për Mirëqenien Sociale, Blendi Klosi dhe deputeti Ervin Bushati.

Politikanët shqiptarë do të ndjekin drejtpërdrejt ceremoninë ku pritet të ketë të ftuar nga shumë vende të botës, presidentë dhe kryetarë qeverish.

As Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani nuk do të shkojë më 20 janar në SHBA. Mospjesëmarrja e z.Rama në ceremoninë e marrjes zyrtarisht të detyrës të z.Trump, shihet nga analistët si vazhdim i linjës refuzuese që kryeministri shqiptar ka ndaj emrit më të ri në Shtëpinë e Bardhë.

Disa herë në dalje publike, z.Rama e kishte kritikuar fort Donald Trampin si një figurë e papranueshme që rrezikon seriozisht marrëdhëniet shqiptaro-amerikane duke shprehur deri dhe lutje që Trump mos zgjidhej President, gjë që ndodhi.

“Mos e dashtë Zoti që amerikanët ta zgjedhin Trump për president sepse do të ishte një president që do t’i bënte dëme të mëdha Amerikës dhe sigurisht do të ishte kërcënim real për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane”, kishte deklaruar Rama.

Kreu i qeverisë shqiptare kishte paralajmëruar se nëse ndodh që Trump të zgjidhet si i pari i SHBA, atëherë do të përkeqësoheshin marrëdhëniet diplomatike mes shqiptarëve dhe amerikanëve.

“Donald Trump është kërcënim për SHBA dhe nuk diskutohet që është kërcënim edhe për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane”, – deklaronte z.Rama.

Republikani Donald Tramp fitoi zgjedhjet e 8 nëntorit në SHBA ndaj kandidates republikane Hillari Klinton, duke lajmëruar ardhjen e një administrate të re në krye të Shtëpisë së Bardhë.