Nga Agim Nesho
Akti i mbrojtjes së çështjeve që lidhen me kombin është momenti kryesor që bën formimin e një politikani në kohët moderne të ekzistencës së kombit. Pse Edi Rama, i njohur si karakteropat dhe aventurier, kërkon të godasë Kosovën në kohën kur kësaj të fundit po i imponohet krijimi i Asociacionit siç e do Vuçiç, ndërsa Vuçiç-in e merr në mbrojtje pse nuk i vë sanksione kasapëve të Moskës?
Kjo nuk është vetëm një zgjedhje për të rënë në sy, një puthje ekstravagante me kryeministren e një vendi, një palë atlete Adidas apo dhënia e çelësit të Tiranës ‘Kallashnikovit’ që iu ngrinte himn genociditëve serbë në Kosovë. Kjo nuk është asnjë çështje preference që mund t’ju bënte qejfin vëllezërve të tij sorosianë, që sillen në Ballkan si hienat për një plaçkë që duan patjetër ta gllabërojnë, për të krijuar një treg të ri përfitimi financiar.
Mohimin e kombit të tij Rama e bën për një çështje akoma më të rëndësishme për të. Ai akoma nuk ka hyrë në histori duke i vënë flakën Aleksandrisë për të mbetur i njohur.
Tre janë arsyet pse Rama shet dhe mohon kombin e tij:
Së pari, për këtë komb Rama ka bërë pazar me Vuçiç për ta ndarë dhe ata të jenë protagonistët e ardhshëm të pushtetit.
Së dyti, duhet rrëzuar qeveria Kurti, e cila po i pengon në realizimin e projektit të Ballkanit të Hapur dhe krijimit të Jugosllavisë së re plus Shqipërinë, si haraçi për tërheqjen e Vuçiç nga Perëndimi.
Së treti, të harrohet vjedhja e votës dhe mashtrimet elektorale të 14 Shtatorit 2023, që për Ramën janë një gjë që nuk di si ti menaxhojë. Ai mendon se protagonizmi i tij, si në çështjen e afganëve, do të bëjë ta kalojë lumin. Një udhëheqës global dhe një fener ndriçues në botë nuk mund të jetë një hajdut votash dhe shpërdorues fondesh.
Të tërë gabojnë në këtë lojë, të tërë duan të përfitojnë prej saj, por asnjë nuk po mendon se politikat e autokratëve të Ballkanit janë për të larguar Ballkanin Perëndimor nga Bashkimi Europian dhe për ta bërë një portë të interesave të vendeve të mëdha jo-perëndimore.
Moskuptimi i kësaj situate nuk është naivitet, por çështje interesash dhe përkrahje elektorale për pushtet.