Ish-kryeministri Sali Berisha ka thirrur sot një tryezë për çështjen e energjetikës, me një grup ekspertësh. Sipas ish-kryeministrit Berisha nuk ka vend tjetër që zbraz digat në kundërshtim me ligjet dhe shet energjinë.
Reagimi i Berishës:
“Tani nën hijen e luftës ka marrë përmasa dhe më të mëdha. Shqipëria është vendi i vetëm në Evropë që ka katërfishuar çmimin e energjisë për bizneset dhe premton të rrisë në mënyrë absurde çmimin edhe për konsumatorët. Është vendi i vetëm që takson naftën mbi 1 euro, që prodhon 1 milion ton dhe që ka çmimet më të larta në Evropë.
Por, sigurisht Shqipëria nuk është një ishull. Megjithëkëtë në rrafshin e energjisë dhe prodhimit të saj Shqipëria është vendi që duhet të ndjente më pak se çdo vend tjetër ndikimin mbi energjitikën e kontinentit të agresionit rus mbi Ukrainën. Energjia e saj në masën 98% është tërësisht ujore, por prodhohet me kosto më të ulët se në çdo vend tjetër
Prodhimi i energjisë në Shqipëri gjatë vitit 2021 është më i larti në rekord historik, rreth 8.9 miliard kw. Duke pasur parasysh këto faktorë dhe nëse analizojmë qëndrimin në menaxhimin e rezervar ujore të kaskadës konstaton lehtësisht se shkaku themelor i krizës nuk është moti, lufta, por është plaçkitja, grabitja, vjedhja në këto sipërmarrje.
Shqipëria nuk besoj të ketë vend tjetër që zbraz digat në kundërshtim me ligjet e saj dhe shet energjinë në emër të liberalizimit të tregut me 42 euro, në të njëjtën ditë kur në bursë është 130 euro.
Në themel të kësaj krize është qëndrimi i papërgjegjshëm i kësaj qeverie”, deklaroi ish-kryeministri.