Në grupin E luhen Ajax-Bayern Munchen dhe Benfica-AEK. Në “Johan Cruyjjf Arena” do të luhet për vendin e parë, pasi bavarezët dhe holandezët e kanë siguruar kualifikimin për në fazën tjetër.
Ajaxit i duhet vetëm fitorja për t’u marrë vendin e parë kampionëve të Gjermanisë, ndërsa sfida e Lisbonës zhvillohet vetëm për statistikë, pasi Benfica e ka siguruar vendin e tretë që do t’i japë mundësinë për të luajtur në Europa League.
Në grupin F, Manchester City e ka siguruar gjithashtu kualifikimin si e para e grupit, teksa në mbrëmje do të presë Hoffeheimin e vendit të fundit.
Ndërkohë, përplasja direkte Shaktar-Lyon përcakton skuadrën e dytë që do të mbesë në garën e Championsit. Francezët e Lyonit ka dy pikë më shumë sesa ukrainasit dhe, nëse fitojnë në këtë transfertë, dhe Hoffenheimi bën surprizën në Manchester, atëherë Shaktari do të humbiste vendin e tretë.
Në grupin G, Reali i Madridit, tashmë me vendin e parë të sigurtë, pret CSKA-në e Moskës, ndërsa Roma, gjithashtu e kualifikuar si e dyta, luan në transfertë me çekët e Plzenit. Skuadra çeke e mban vendin e tretë me 4 pikë, falë avantazhit në ndeshjet direkte me rusët.
Edhe në grupin H është zgjidhur thuajse gjithçka. Juventusi kryesues luan me Young Boys në transfertë, ndërsa Manchester United udhëton drejt Valencias. Juvja mund ta humbasë vendin e parë nëse humbet në Zvicër dhe United fiton në Spanjë, ndërsa Valencia në çdo rast e ka siguruar vendin e tretë.