Çmimet e sufllaqes, sanduiçit rriten 15-19%, në byrektore 25%! Pritet të shtrenjtohen sërish në qershor

0
61
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Çmimet e produkteve në fast food janë rritur nga 15 deri 19%. Rritje të çmimeve ka pasur edhe në dyqanet e byrektoreve. Çmimi i byrekut të vogël është shtrenjtuar 25%.

Çmimet e dy operatorëve njëri në zonën e 9 -katesheve dhe një tjetër në zonën e ish Bllokut sipas konstatimit në terren të “Monitor” janë rritur 15,7% e sufllaqes gjiro me mish derri dhe pule, ku nga 190 ka arritur 220 lekë, hamburgeri nga 160 në 190 lekë (rritja 18,7%), doner nga 190 ka arritur në 220 lekë (15,7%), sanduiç nga 130 në 150 lekë (rritja 15,3%), hot-dog 190 lekë në 220 lekë (rritja 15,7%). Çmimet për produkte si patate të skuqura 150 lekë/racioni dhe i tostit të thjeshtë 100 lekë kanë mbetur të pandryshuara.

Enri Jahaj përfaqësues i Shoqatës të Bareve dhe Restoranteve tha për “Monitor” se rritja e çmimeve nuk është abuzive, por vjen nga shtimi i kostove. Jahaj paralajmëron se pas muajit qershor kur të nisë liberalizmi i tregut të energjisë, do të ketë tjetër rritje të çmimeve të produkteve fast food. Aktualisht rritja e çmimeve të ushqimit të shpejtë, sipas tij ka ndikuar për rënie të konsumit.

“Deri tani çmimet në dyqanet fast food kanë qenë shumë të lira, për çdo produkt mbi bazën e kostos operatorët fitonin 20 deri 40 lekë. Çmimi i sufllaqes në Greqi kushton nga 5 deri 12 euro, ndërsa në vendin e jo të origjinës varion me çmim nga 220 deri 280 lekë (sipas tipologjisë të produktit). Në Shqipëri ka shtrembërim të tregut dhe të çmimeve në raport e vendet e origjinës të ushqimit.

Aktualisht shtrenjtimi i çmimit të vajit që përdoret në sasi të larta në këto biznese, miellit (që ka ndikuar në rritjen e çmimit të bukës dhe piteve që përdoren në këto produkte), domates, dyfishimi i çmimit të gazit dhe të energjisë ka rritur 40% kostot e kësaj industrie. Pritet që kostot të shtohen sërish me shtrenjtimin e çmimit të energjisë që do të ndodhë pas liberalizimit të tregut në muajin qershor. Kjo do të ndikojë në një tjetër rritje të çmimeve për produktet fast food”, pohon Jahaj.

Shtrenjtim 25% është shënuar edhe për çmimin e byrekut të vogël nga 40 lekë në 50 lekë. Çmimi i këtij produkti u rrit 33% edhe në muajin shtator 2021 nga 30 lekë në 40 lekë, periudhë kur nisi shtrenjtimi i çmimit të miellit. Në këtë periudhë edhe çmimi i bukës masive u rrit nga 70 lekë në 80 lekë.

“Arsyeja e rritjes të çmimit të byrekut të vogël është shtrenjtimi i çmimit të miellit, vajit dhe bulmetit për përgatitjen e këtij produkti. Çmimi për këtë produkt edhe më parë nuk arrinte të mbulonte kostot e prodhimit. Nëse byrekun do ta gatuash në shtëpi, pa përfshirë pagesat e punonjësve, dilte me kosto më të shtrenjtë sesa te dyqanet”, thekson Enri Jahaj nga Shoqata e Bareve dhe Restoranteve. . MONITOR

Zjarr Tv Ad