Çmimet e larta të energjisë për bizneset po japin efektet e para në ecurinë e aktivitetit të ndërmarrjeve të mëdha, që e kanë energjinë një zë kryesor në kostot e tyre.
Kurum, kompania e tretë më e madhe në vend nga të ardhurat, pas OSHHE dhe “Kastrati group” si dhe eksportuesi më i madh, që nga fillimi i gushtit ka mbyllur përkohësisht fabrikën e çelikut dhe të petëzimit. Fabrika e petëzimit do të fillojë në 1 tetor. Ndërsa fabrika e çelikut do të rifillojë nëse bien çmimet e energjisë, ose çmimi i hekurit rritet mbi 1100-1200 euro, nga rreth 700 euro që është sot.
Arif Shkalla, drejtor ekonomik i Kurum, tha për Monitor se arsyeja kryesore lidhet me çmimin e shtrenjtë të energjisë, pasi nuk mund të prodhohet çeliku, kur energjia ka arritur 750 euro MWH dhe një ton çelik shitet 700 euro. Sipas tij, me çmimet e hekurit që janë rreth 700 euro,, duhet që energjia të zbresë në 200-250 euro/KWH që fabrika të jetë në eficiencë.
Shkalla thotë që të prodhosh 1 ton hekur duhen mesatarisht në total 730-750 kilowat. “Pra nëse çmimi arriti 870 euro në gusht, kosto direkte e energjisë është 652 euro për ton, kur hekuri final si produkt në bursa ka qenë 650-680 euro në gusht.
Për momentin kompania po importon hekur ose lingota që të punojë në fabrikën e petëzimit.
Shkalla thotë se e njëjta situatë është dhe në Europë, ku shumë fabrika po mbyllen. Prodhuesi i dytë më i madh i çelikut në botë, ArcelorMittal ka njoftuar se ka mbyllur një fabrikë në Europë për shkak të shtrenjtimit të gazit dhe energjisë. Kurum ka në pronësi dhe HEC-et në Bistricë dhe Ulzë. Dy HEC-et në Bistricë janë në punë, ndërsa Ulza nuk po punon për shkak se nuk ka ujë dhe po priten shirat.
Për momentin, Kurum po importon dhe tregton dhe vetëm njëra fabrikë është e hapur. Shkalla tha se eksportet kanë vijuar, por nuk krahasohen me nivelet e vitit të kaluar. Ndërsa në shtator nuk pritet të ketë eksporte dhe shpresa është që të rifillojë aktiviteti në tetor. Shkalla thotë se kërkesa për hekur ka rënë, ndërsa dhe Kosova po e siguron hekurin nga tregje të tjera dhe po importon direkt përmes Portit të Durrësit.
Shkalla thotë se Turqia po konkurron me çmimin e hekurit, pasi kompanitë atje vijojnë që të marrin energjinë lirë nga shteti. “Shteti ua jep fabrikave akoma ne Turqi gazin për prodhim energjie me 140 usd MWH, duke u bërë konkurrentë të fortë në Europë.
Në vitin 2021, të ardhurat e Kurum arritën në 42 miliardë lekë, sipas bilancit zyrtar, pothuajse dyfishim në raport me vitin e kaluar, teksa kompania e mori veten nga pandemia dhe kërkesa u rrit në Europë. Shkalla thotë se pavarësisht mbylljes së fabrikës së çelikut, Kurum i ka të garantuara të ardhurat nga energjia dhe si rrjedhojë nuk do të ketë probleme likuiditeti për pagesat dhe këstet e bankave, por e mira është që të punojnë të gjitha fabrikat. Fabrikat e mbyllura zënë 75% të xhiros së kompanisë, por gjithsesi rritja e çmimit të energjisë favorizon HEC-et. Këto të fundit sjellin rreth 20% të fitimeve.
Kurum ka të punësuar rreth 750 punonjës, përfshirë edhe që punojnë në HEC-e. Ndërsa pa përfshirë punonjësit në HEC-e, numri i të punësuarve është 670, nga të cilët 100 janë administratë, shitje, staf inxhinierik. Shkalla thotë se ata po vazhdojnë të mbahen në punë, me leje me pagesë. Një pjesë e punonjësve po punojnë në mirëmbajtje dhe përpunim skrapi. “Gati gjysma fillojnë në 1 tetor dhe pjesa e mbetur do jene me 60% në marrëveshje me sindikatën për 3 muaj”, thotë Shkalla.
Kompanitë e mëdha, të tensionit të lartë janë të parat që kanë dalë në tregun e lirë të energjisë, dhe që prej vitit 2011 e blejnë vetë energjinë në treg të lirë, pjesë e të cilave është dhe Kurum. Ishin gjithsej 7 kompani, që përbënin 8.4% të konsumit kombëtar.
Burimi: Monitor