Kryetari i këshilltarëve bashkiak të Partisë Demokratike në Bashkinë e Tiranës, Kreshnik Çollaku, akuzoi kryebahskiakun Erion Veliaj se në pak minuta dhe me shpejtësi ka miratuar 20 vendime në Këshillin Bashkiak, pa diskutim dhe pa debat.
Në një dalje për mediat, ai tha se asnjë këshilltar nuk ka mundur t’i lexojë. Bashkia e Tiranës, vijoi Çollaku, prej katër vitesh ka shtuar varfërinë, papunësinë në sajë të taksave dhe korrupsionit.
Çollaku: Çfarë mund të shohim sot, në Tiranën e pas 4 viteve? Sigurisht ka më shumë reklama, ka më shumë tabela, por ka më pak punë, ka më shumë varfëri, ka orë e orë të tëra që qytetarët i humbasin në trafik, ka më shumë taksa, ka ujë të ngritur, ka çmime më të shtrenjta biletash për autobusë e për transport publik, ka më pak vende pune, ka më shumë oligarkë, të cilëve u ulen taksat, dhe ka më shumë biznese që çdo ditë mbyllen, duke detyruar njerëzit të vuajnë varfërinë dhe urinë.
Ndaj sipas tij, qytetarët e Tiranës janë gati ta ndëshkojnë me votë Erjon Veliajn.
Çollaku: Erjon Veliaj, sipas sondazheve, jo vetëm tonave por edhe të grupeve që i organizon vetë, është një kandidat humbës për bashkinë e Tiranës.Qytetarët e Tiranës kanë parë këto 4 vite, çfarë do të thotë kur qeveris mafia dhe oligarkët, përzier me pushtetin. Qytetarët e Tiranës janë gati ta ndëshkojnë me votë Erjon Veliajn. Fjalët kanë mbaruar. Arsyet i kemi dhënë të gjitha. Njerëzit, qytetarët e Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë po e shohin çdo ditë degradimin e këtij pushteti. Prandaj përgjigja, beteja për një Shqipëri pluraliste, të lirë e demokratike, dhe për një Tiranë të shpëtuar nga dhëmbët e oligarkëve, mafies dhe klaneve të pushtetit, është vetëm një: të shtunën me 8 qershor të gjithë në protest për Shqipëqrinë, për pluralizmin, por edhe për një Tiranë jashtë thonjëve të mafies dhe të krimit të organizuar.
Për të çliruar Tiranën nga krimi dhe oligarkët, ai ftoi të gjithë qytetarët e Tiranës ti bashkohen protestës kombëtare të opozitës pasditen e të shtunës.