Janë shënuar dy viktima nga koronavirusi në 24 orët e fundit. Vëllai i kreut të “Yldon Media Group”, Ylli Ndroqi, ka ndërruar jetë mëngjesin e sotëm, pasi ishte i shtruar prej disa ditësh në spitalin COVID-2, “Shefqet Ndroqi”.
Lajmin e trishtë e ka dhënë vetë Ndroqi, përmes një dedikimi në mediat sociale ku shprehet se tashmë ndodhet vetëm dhe se ikja e tij e ka bërë të ndihet bosh.
Ndërkohë, COVID-19 i ka marrë jetën edhe ish-kryebashkiakut të Lushnjes. Albert Sanxhaku është ndarë nga jeta mbrëmjen e djeshme në një spital në Turqi, ku prej disa javësh po kurohej, pasi u infektua me COVID.
Sanxhaku ka qenë kryetar bashkie në qytetin e Lushnjes në vitet 2007-2011. Ai i fitoi zgjedhjet nën siglën e Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe ka mbajtur edhe disa poste të tjera të rëndësishme, së fundmi zëvendës i fondit të kujdesit shëndetësor.