COVID-19/ Rastet po rriten frikshëm

0
2

Qeveria nuk e kontrollon më situatën e pandemisë… Mund të thuhet se Rama, nga mburrjet, ka kaluar në abandonim të plotë të krizës sanitare… Rastet aktive janë rritur me shpejtësi shumë të madhe që nga data 11 qershor 2020 kur kjo shifër ishte 349… Ne 25 shtator 2020 shifra e rasteve aktive ka arritur në Shqipëri në 5363 ose në pothuajse dy muaj e gjysmë kjo shifër është rritur pothuajse 15 herë duke vazhduar të rritet pa pushim…

Image

Shpejtësia e rritjes mujore ka qenë: i) gjatë muajit qershor rritja ka qenë me mbi 1000 raste aktive; ii) gjatë muajit korrik është arritur rritja mujore me mbi 1500 raste aktive; iii) gjatë muajit gusht rritja ka arritur shifrën mbi 1200 raste aktive dhe iv) vetëm në gjysmën e shtatorit numri i rasteve aktive është rritur me rreth 1200 raste aktive, duke shënuar kështu edhe më rritjen mujore më të lartë në 6.5 muajt e kësaj pandemie…

Shqipëria është një vend i pasigurt për shumë nga vendet e Evropës, po t’i referohemi numrit të lartë të rasteve aktive për 1 milion banorë… Në Shqipëri ka 1864 raste aktivë për 1 milion banorë. Ose mbi 7 herë më shumë sesa në Gjermani, 2.4 herë më shumë sesa në Itali, 2.7 herë më shumë sesa në Bullgari, 6.2 herë më shumë sesa në Kroaci, 2.6 herë më shumë sesa në Slloveni e Sllovaki. Krahasuar me vendet e rajonit, Shqipëria është kthyer në “dele e zezë” për rajonin: në Shqipëri ka 17 herë më shumë raste aktive sesa në Serbi, 1,7 herë më shumë sesa në Maqedoninë e Veriut, 3 herë më shumë sesa në Greqi dhe po aq raste sa në Bosnje.
Kjo rritje e llahtarshme e rasteve aktive është shoqëruar edhe me rritje të konsiderueshme të shtrimeve në spital dhe të rasteve në terapi intensive, madje edhe të vdekjeve, që ka arritur në datën 25 shtator shifrën 375 te vdekur ose rreth 130 qytetarë për 1 milion banorë. Për sa i përket numrit të vdekjeve, nga statistikat e Worldometers për 215 vende në botë, Shqipëria rezulton e renditur e 56-a, duke pasur numër më të lartë vdekjesh për 1 milion banorë sesa 160 vende të tjera të botës…

Situata jashtë kontrollit me rastet aktive ka rënduar shumë punën në spitalet COVID duke rrezikuar “kolapsin” e këtyre spitaleve, të cilat arrijnë të qëndrojnë në këmbë vetëm në sajë të punës heroike e angazhimit profesional e human të mjekëve dhe personelit të shërbimit mjekësor…

Kjo ka bërë që të rritet izolimi për shqiptarët në Evropë, rajon e botë… Gjithnjë e më shumë po shkurtohen komunikimet me Shqipërinë për shkak të rritjes së rasteve aktive që lidhen kryesisht, për të mos thënë vetëm, me keqmenaxhimin, papërgjegjshmërinë dhe paaftësinë e qeverisë Rama…/Kastriot Islami/