Një studim i kryer nga qeveria e Boris Johnson parashikon që, në skenarin më të keq të Pandemisë, një rritje e dytë e infeksioneve Covid 19 në Mbretërinë e Bashkuar në sezonin vjeshtë-dimër mund të shkaktojë 85,000 vdekje, ose rreth dyfishin e numrit të viktimave që janë regjistruar deri më tani në vend.
Studimi, i kaluar te BBC nga një burim qeveritar, thotë se në rast të një zhvillimi të këtij lloji, do të rivendosen masat kufizuese.
Raporti është përgatitur nga ekspertë të ‘Sage’, komiteti qeveritar i përbërë nga shkencëtarët më të mirë mbi pandemitë dhe sëmundjet infektive në Mbretërinë e Bashkuar.
Dokumenti specifikon se ky është “skenari i rastit më të keq”, jo domosdoshmërisht i destinuar të ndodhë, por është marrë në konsideratë për të përgatitur qeverinë britanike për çdo eventualitet.
Para pak ditësh edhe Boris Johnson dhe Ministri i Shëndetësisë Matt Hancock deklaruan se nuk e përjashtojnë rimbylljen totale të vendit
Periudha e vjeshtës dhe dimrit, me një rritje të rasteve të gripit, besohet të jetë më e rrezikshmja për një valë të dytë të infeksioneve, të cilat duket se u ngadalësuan në fillim të verës, por janë rritur me shpejtësi për javë të tëra. Deri më sot, pandemia ka shkaktuar më shumë se 41,000 vdekje në Mbretërinë e Bashkuar.
Prej situatës së krijuar, Qeveria e Boris Johnson ka vendosur karantinë dy-javore për ata që kthehen nga Franca, Spanja, Austria, Zvicra dhe sipas disa deklarimeve, këtë javë po përgatitet ta imponojë këtë edhe për ata që kthehen nga Portugalia