Drejtuesi politik i Partisë Socialiste në qarkun Gjirokasër dhe kandidati për deputet, Bledi Çuçi, ka vijuar me takimet elektorale në fshatrat Asim Zeneli dhe Valare. Gjatë bashkëbisedimit me banorët, Çuçi solli në vëmendje investimet e bëra prej vitit 2013.
“Pazari i Gjirokastrës sikur kishte dalë nga një luftë e armatosur. Kjo nga papërgjegjshmëria e politikës së 23 viteve. Na u desh të fillonim ndërhyrjen pikërisht aty, në zemër të Gjirokastrës. Ai transformim është shtrirë në të gjitha fshatrat e Bashkisë Gjirokastër. Pazarin e restauruar nga një teneqe e ndryshkur e kemi kthyer në një magnet të turizmit”, tha Çuçi.
Më tej drejtuesi politik i socialistëve në qarkun Gjirokastër solli në vëmendje kohën kur ishte Ministër Bujqësie dhe ndërmori politika të rëndësishme për mbështetjen e fermerëve. Çuçi përmendi vaksinimin dhe matrikullimin falas, alokimin e fondit të subvencioneve në masë 80% për blegtorinë dhe aplikimet online përmes portalit E-Albania.
“Po jua përsëris dhe njëherë që nuk duhet të neglizhojmë asnjë votë në 25 prill sepse është në lojë e ardhmja e Shqipërisë. Duhet ta vazhdojmë këtë rrugëtim së bashku drejt Shqipërisë europiane. Jemi në një moment shumë të mirë të zhvillimit të Shqipërisë, kur kemi hedhur themelet dhe fillojmë rrugëtimin për një të ardhme të sigurt për të jetuar këtu dhe për të mos e menduar braktisjen”, tha Çuçi.