Daçiç replikon me Ramën: Europianët nuk reagojnë, sillen si liderë shpirtërorë

0
5

Vendimi i fundit i Shqipërisë dhe i Kosovës për të koordinuar përfaqësitë dhe sfidat diplomatike nëpër botë vijon të dominojë debatet politike në Beograd.

Pas deklaratës së kryeministrit Edi Rama në Poloni se ky bashkëpunim zyrtar nuk tenton të kërcënojë Serbinë, ka reaguar sërish kryediplomati serb, Ivica Daçiç.

Në një intervistë me tabloidin “Kurir”, ministri Daçiç sqaroi të dielën se Kosova mbetet pjesë e Serbisë dhe çdo marrëveshje dyshtetërore duhet të kalojë prej saj.

Daçiç: Nesër edhe Ministria e Jashtme e Serbisë mund të marrë vendimin që të njësojë politikën e vet të jashtme me Banjalukën serbe të Bosnjë-Hercegovinës. Përderisa Prishtina nuk ka një politikë të jashtme të pavarur dhe Kosova është pjesë integrale e Serbisë, kryeministri duhet ta kishte arritur këtë marrëveshje me Beogradin dhe jam i sigurt se nuk do të ndjehej i kërcënuar.

Kryediplomati serb kritikoi edhe zyrtarët europianë, të cilët sipas tij po heshtin ndaj planeve të Prishtinës dhe Tiranës për të formuar “Shqipërinë e Madhe”.

Daçiç: Në vend që të udhëheqin BE-në dhe t’i shprehin qartë pikëpamjet e tyre, zyrtarët europianë sillen si liderët shpirtërorë të Tibetit. Mendojnë shpirtërisht për problemet e kontinentit por askush nuk jep asnjë zgjidhje konkrete se çfarë duhet bërë.

Të martën, dy homologët Gent Cakaj dhe Behgjet Pacolli thanë se marrëveshja mes Shqipërisë dhe Kosovës ngrihet mbi tri shtyllat politike, diplomatike dhe profesionale, dhe do të hapë një kapitull të ri të bashkëpunimit e integrimit mes dy vendeve.