Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri ka paditur për shpifje ish-deputetin demokrat Agron Shehaj.
Shehaj ka deklaruar se kushëriri i Gjiknurit ka marrë status investitor strategjik, por ky fakt u kundërshtuar ashpër nga Lorenc Vangjeli, i cili deklaroi se ka verifikuar në gjendje civile dhe se Gjiknuri e ka paditur Shehajn ditën e sotme për shpifje.
“Ky person nuk ka lidhje. Nuk është djali i xhaxhait të Gjiknurit. Babai i tij nuk është vëllai i babait të Gjiknurit. Kanë apo jo marrëdhënie sepse kanë thithur ajër në të njëjtin qytet? Gazetarët e mi më kanë vënë në dispozicion edhe padinë që është depozituar sot. E shoh pak të përpjetë procesin, ju keni barrën e provës. Duhet të vërtetoni fjalinë e parë. Ka disa probleme, statusin si investitor strategjik e ka marrë Albstar, që ka ndërtuar stadiumin”, tha Vangjeli në emisionin “Të Paekspozuarit”.
Shehaj megjithatë tha se do të përballet me të në gjyq, ndërsa i takon gjykatësve të vërtetojnë nëse personi për të cilin ka akuzuar Gjiknurin është kushëriri i tij apo person pa lidhje me të.
Gjinkuri më herët ka reaguar duke hedhur poshtë akuzat, ai ka thënë se ndonëse personi në fjalë ka të njëjtin mbiemër, s’ka lidhje familjare me të.