David Kostelancik propozohet sërish si ambasador i SHBA-ve në Shqipëri

0
31
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Shtëpia e Bardhë ka propozuar sërish David Kostelancik si ambasador të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri. Ky riporpozim vjen pasi në fillim të janarit, Senati në SHBA nuk e miratoi emërimin e David Kostelancik si ambasador i SHBA-ve në Shqipëri.

Kjo për shkak se gjatë sesionit që u mbyll në fund të vitit të kaluar, Senati nuk futi në rend dite brenda afateve, votimin për konfirmimin e zotit Kostelancik dhe të dhjetra të emëruarve të tjerë. Emërimet e diplomatëve u bllokuan nga disa senatorë republikanë.

Senati i kërkoi Presidentit të SHBA, Joe Biden, që të miratojë një kandidat të ri për këtë pozicion. Por emri i David Kostelancik i është dërguar sërish Senatit amerikan për miratim.

“David J. Kostelancik, nga Illinois, Anëtar Karriere i Shërbimit të Jashtëm të Lartë, Klasa Ministër Këshilltar, nominohet për të qenë Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Shqipërisë”, thuhet në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë.

Edhe pse u ridërgua e njëjta kandidaturë, procesi në Senat fillon nga e para, por komisioni përkatës që shqyrton kandidaturën ka kompetenca të gjera dhe mund ta thërrasë sërish për dëshmi ose jo. Në të kaluarën, për shumicën e riemërimeve, komisionet nuk i rithërrasin kandidaturat për dëshmi.

Diplomati i karrierës Kostelancik, u emërua për postin e Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri në janar të vitit të kaluar. Zoti Kostelancik dëshmoi për përparësitë e tij para Komisionit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë në mars të vitit të kaluar. Në prill, Komisioni votoi pro konfirmimit të tij, por votimi i plotë i Senatit nuk u bë.

David Kostelancik ka shërbyer në Shqipëri edhe më përpara në periudhën 1992-1994, si përfaqësuesi i parë për çështjet politike dhe ekonomike në ambasadën e porsahapur amerikane në Tiranë. Para emërimit si ambasador, ai shërbente si Këshilltar për Politikën e Jashtme i Shefit të Shtatmadhorisë amerikane, Gjeneralit Mark Milley.

Kostelancik është një diplomat me një karrierë 30-vjeçare. Ai ka shërbyer dy herë në Ambasadën amerikane në Moskë, në misionet e SHBA-së në OSBE dhe NATO, si edhe në Ankara të Turqisë. Ai flet rusisht, hungarisht, shqip dhe turqisht.

Zjarr Tv Ad