Platforma e qeverisë për “Bashkëqeverisje dhe dialog”, e cila u prezantua nga Ministrja Elisa Spiropali, u shoqërua me debate të forta sot në Komisionin e Ligjeve. Qeveria kërkon që t’i japë kësaj agjencie formën e ligjit, ndërsa ka sjellë kundërshtinë e deputetëve të opozitës. Me tone të ashpra, deputeti i PD, Enkelejd Alibeaj e cilësoi këtë ligj si rikthimin e diktaturës në vend. Ai theksoi se në këtë mënyrë faktohet falimenti i shtetit dhe reformës në drejtësi. Nga ana tjetër, Alibeaj vlerësoi deputetin e PS, Fatmir Xhafajn i cili shprehu kritikat e tij për këtë ligj. Deklarata e Alibeajt: “Veneron komunizmin këtu ky që bën tërmete. Më i ndershmi këtu del Fatmir Xhafaj. Respekt për këtë pikë. Nostalgjikët e komunizmit janë mbledhur duke kthyer makthet e diktaturës. Njerëzit kanë halle probleme, s’kanë të hanë, trokasin tek dera e shtetit, askush nuk e hap derën. Mënyra e vetme që të hapësh një derë është të paguash. Shteti, administrata ka rënë.
Kjo është dhimbja e parë dhe thonë hajde të bëjmë një ligj të bukur. Shpallin falimentin e shtetit të së drejtës. Me këtë ligj nuk bën gjë tjetër por sapo treguan falimenton e reformës në drejtësisë. Ai i pafati nuk e gjen më shpresën te reforma në drejtësi. E pranojnë prandaj kanë sjellë këtë ligj. Tërmeti i këtij sjell këtë tërmetin tjetër, shkatërrimin në aparencë. E grisën maskën. Nuk është gjë tjetër veçse rikthimi me ngjyra i diktaturës. Kjo është kambanë alarmi. Kjo është situata.
Duhet për një gjë, as nuk kanë dhënë ndonjëherë shërbim, as ndërmjetësim. Këta nuk kanë interes për njerëzit. Kanë vetëm një interes do të mbledhin të dhënat personale të tyre dhe kur të vijnë zgjedhjet do t’u bëjnë shantazh. Keni halle me legalizimit, ta zgjidh patronazhisti. Ke ti nevojë për një leje ndërtimi, ta zgjidh patronazhisti, partia. Je kryenç ti, nuk pranon diktaturën inspektimin ta çon menjëherë. Kjo është ajo që keni ngritur. Nga vendim qeverie e keni bërë ligj tashmë,” u shpreh Alibeaj.