Çështja “Brexit” përplasi të enjten në një debat televiziv pesë kandidatët që garojnë për lidershipin britanik. Rivalët në dy ditët e ardhshme do i nënshtrohen raundeve skualifikuese, të cilat do të nxjerrin finalistë vetëm dy prej tyre.
5 kandidatët e mbetur për kryeministër të Britanisë së Madhe u ndeshën të martën në një debat televiziv.
Tema kryesore e diskutimit ishte çështja Brexit dhe sa të gatshëm janë aspirantët për ekzekutivin që ta përmbushin shkëputjen e vendit nga BE-ja brenda 31 tetorit 2019.
Ish-kryediplomati Boris Xhonson u shpreh i bindur se po të zgjidhet kryeministër do ta realizojë Brexit brenda afatit.
Johson: “Duhet të dalim nga Bashkimi Europian më 31 tetor, përndryshe kam frikë se do të përballemi me një rënie katastrofike të besimit qytetar te politika.”
Me largimin në vjeshtë u pajtuan edhe katër kandidatët e tjerë, por pa dhënë garanci për datën.
Ministri i Mjedisit, Majkëll Gov dhe kryediplomati Xheremi Hant thanë se do ta shtynin Brexit me disa ditë për t’i dhënë shansin negociatave të reja me Brukselin, ndërsa ministri i Brendshëm Saxhid Javid dhe homologu Rori Stjuart u shprehën kategorikë për 31 tetorin.
Diskutimet mes kandidatëve u fokusuan më tej te ulja e taksave, politikat e tyre në mbrojtje të mjedisit, adresimi i islamofobisë brenda Partisë Konservatore dhe akuzat e ndërsjella.
Gjatë këtyre dy ditëve do të mbahen edhe raundet e fundit skualifikuese për të nxjerrë dy nga pesë pretendentët finalë.
Sikurse një ditë më parë, pritet që Boris Xhonson të marrë sërish përkrahjen më të madhe të deputetëve konservatorë.