Inxhinierja e njohur, Luljeta Bozo kandidate për deputete në Qarkun e Tiranës me Partinë Socialiste, ka tërhequr mjaft vëmendje mediatike, me një deklaratë të bërë pak ditë më parë lidhur me komunizmin në Shqipëri. Znj.Bozo duke sqaruar se nuk është anëtare e asnjë Partie politike dhe kandidon si profesioniste e lirë, thotë se deklarata e saj është nxjerr nga konteksti, pasi nuk ka dhënë vetëm vlerësime për sistemin komunist por edhe të metat e tij. Inxhinierja theksoi se komunizmi, ka pasur tre probleme të mëdha duke renditur mbylljen e vendit, internimet dhe krijimin e kooperativave.
“Unë e kam thënë qartë qëndrimin tim, nuk jam penduar për atë deklaratë pasi reagimet ishin keqkuptime. Pse nuk e morën të gjithë frazën. Ai sistem ka pasur të mirat dhe të këqijat e veta, siç ka çdo sistem. Morën vetëm pjesë e të mirave, pse nuk thanë dhe pjesën e të këqijave që ua thash, që janë shumë por unë tre kisha klasifikuar. Që ishin mbyllja hermetike, që nuk të lejon të zhvillohesh, domethënë ishte një tmerr i vërtetë. Dhe e fundit që iu dha derma sektorit më jetik që ishte në Shqipëri, bujqësia me të cilën jetonte 60% e popullsisë, ku iu mor edhe ai oborri i shtëpisë fshatarit dhe fshatari vinte të blinte vezë në qytet”, deklaroi Bozo.
Nga ana tjetër inxhinierja ritheksoi se pavarësisht problemeve të mëdha, komunizmi arriti që ta zhvillonte Shqipërisë në disa drejtime, ku përmendi krijimin e sistemit energjetik si dhe zhdukjen e analfabetizmit.
“Njeriu edhe mund të ndihet keq por unë thash një të vërtetë që kushdo që ka jetuar në atë kohë dhe sot, e di që kjo është e vërtetë. Unë nuk merrem shumë me fjalë, merrem me punë, më pyetën dhe u dhashë përgjigjen por duhet ta merrnin të plotë dhe jo një pjesë. Kjo nuk është normale dhe për këtë arsye vendosa që nga ai moment të mos shkoj më në asnjë televizion. Përgjigjen e kam thënë të qartë, të saktë, shumë koncize.
Nuk mund të hedh poshtë gjithë punën heroike të atij populli që bëri që Shqipëria nga një vend që ishte agrar, as agrar nuk ishte, me këneta, me malarie, me turbekuloz, me analfabetizëm të pa parë dhe u bë industrialo-agrar, me universitet, me Akademi Shkencash, me sistem energjetik fantastik, janë vepra nuk mund t’i mohosh. Kanë punuar njerëzit e thjeshtë, kanë punuar të gjithë specialistët”, përfundoi inxhinierja e njohur.