Deklarata e Përbashkët/ Krerët e Bashkive: Kërkojmë menjëherë lirimin e ambienteve të KZAZ-ve

0
17
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Krerët e Bashkive që nuk pranojnë të ketë zgjedhje më datën 30 qershor duke respektuar dekretin e Presidentit Meta për shtyrjen e zgjedhjeve, kanë dalë së fundit në një deklaratë të përbashkët për shtyp, ku kërkojnë menjëherë zbatimin e Dekretit të Presidentit të Republikës

DEKLARATË E PËRBASHKËT E KRYETARËVE TË BASHKIVE PËR ZBATIMIN E DEKRETIT TË PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS

Në zbatim të Dekretit të Presidentit të Republikës nr. 11199, datë 10.06.2019, për anulimin e datës 30 Qershor 2019 si ditë e zgjedhjeve lokale, i publikuar në Fletoren Zyrtare, në përputhje të plotë me kompetencat kushtetuese dhe ligjore, kemi kërkuar lirimin e ambjenteve në pronësinë e bashkive tona, të cilat ishin vënë në dispozicion të KZAZ-ve për procesin zgjedhor.

Pas anullimit të datës së zgjedhjeve nga Presidenti i Republikës, i vetmi organ kushtetues për caktimin e saj, këto ambjente duhet të administrohen vetëm nga pronari – njësia e qeverisjes vendore.

Pushtimi i tyre me urdhër politik nga KZAZ-të apo punonjës të Policisë së Shtetit është i paligjshëm dhe në dhunim flagrant të Kushtetutës.

Policia e Shtetit nuk mund të administrojë pronat e bashkive. Sipas ligjit, këtë e bën Policia Bashkiake. Policia e Shtetit e ka të ndaluar të hyjë në pronat e bashkisë, pa një kërkesë nga Kryetari i Bashkisë.

Të gjitha proceset politike dhe administrative duhet të zhvillohen në përputhje me parimet e shtetit ligjor, që garanton autonominë vendore dhe administrimin nga bashkitë të pronave të tyre. Kushdo që thotë dhe vepron në të kundërt, nxit dhunë, shkel Kushtetutën e ligjin në Shqipëri.

Shteti ligjor ka në themel të tij zbatimin e akteve të organeve kushtetuese dhe jo injorimin e tyre për shkaqe politike nga institucione të krijuara me ligj.

Në përputhje të plotë me ligjin dhe me qëllim shmangien e tensioneve të panevojshme, njësitë e qeverisjes vendore kanë njoftuar disa ditë më parë KZAZ-të për lirimin e ambjenteve, si dhe kanë njoftuar Policinë e Shtetit për mbështetje.

Policia Bashkiake, në përputhje me ligjin, ka përgjegjësi të sigurojë zbatimin efektiv të akteve të nxjerra nga kryetari i bashkisë dhe të marrë masa për ruajtjen e pasurisë së bashkisë, si dhe të atyre që administrohen nga ana e saj.

Në ushtrim të kësaj përgjegjësie të shprehur në ligj, punonjësit e Policisë Bashkiake, pas skadimit të afatit për lirimin vullnetar të ambjenteve, kanë kërkuar, gjatë ditës së sotme, marrjen nën administrim të pronave në pronësi të Bashkive.

Në kundërshtim flagrant me ligjin, anëtarët e KZAZ-ve dhe punonjës të Policisë së Shtetit kanë kundërshtuar zbatimin e ligjit, duke kryer veprime arbitrare dhe të paligjshme, si dhe duke ushtruar dhunë ndaj punonjësve të Policisë Bashkiake në krye të detyrës.

Për këtë qëllim, Bashkitë tona po depozitojnë kallëzim Penal ndaj anëtarëve të KZAZ-ve dhe të Policisë së Shtetit, për kryerjen e veprave penale “Kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik”, parashikuar nga neni 235 i Kodit Penal dhe “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

 

 

Zjarr Tv Ad