Vendim në një presion të tmerrshëm e ka quajtur Sali Berisha vendimin e djeshëm të gjyqtares së Apelit, Blerina Muça e cila pranoi ankimin e Enkelejd Alibeajt për të zhbërë vendimin e shkallës së parë i cili njihte Komisionin e Rithemelimit si forcë drejtuese të PD-së dhe statutin e miratuar në Kongresin e thirrur nga Sali Berisha me 11 dhjetor të vitit të shkuar. Ai ka komentuar dhe deklaratat e Yuri Kim ditën e djeshme e cila reagoi pas deklaratave të Berishës së ambasadorja po ndërhyn në proceset gjyqësore në vend. Kjo e fundit pranoi se nëse quhet ‘ndërhyrje’ përkrahja dhe inkurajimi i gjyqtarëve për të dhënë drejtësi atëherë e ka bërë dhe do të vijojë ta bëjë.
Pyetje: Zoti Berisha i druheni një vendimmarrje nga Apeli?
Ky është një revolucion, ju garantoj unë. Ju keni parë këto kohë një lloj rënie të valës, por që në të vërtetë nuk ka qenë rënie ka qenë një angazhim total i burrave dhe grave kudo që janë në procesin zgjedhor të PD-së. Sot këta janë në këmbë dhe të jeni të sigurt që marshin e tyre të lirisë nuk ka dhe nuk mund të ketë forcë që do ta ndalë. Për sa i përket standardit, një gjykatëse vendosur dje të shkruajë ligjin e shtetit, në një akt që tejkalon jashtë çdo imagjinate.
Nën një presion të tmerrshëm, ndaj të cilit një njeri që ka minimumin e minimumit të karakterit nuk ja lejon vetes. Kjo është e qartë si drita e diellit, është po kjo gjykatëse që nuk pranoi ankesën tonë duke vlerësuar më parë se ne nuk jemi palë. Por shpalli palë atë që në mënyrë absolute nuk ishte palë, shkroi ligjin mendoj unë në aktin më të shëmtuar së pari të CV-së së saj, dhe jo vetëm, është me komplekse se kaq.
Sidoqoftë këtë revolucion nuk do e ndalë më asgjë.
Zonja Kim konfirmoi se ka ndërhyrë në sistemin e drejtësisë?
Nuk besoj se ka pasur një shkelje më të rëndë për vlerat mbi të cilat qëndrojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e lira.
Nuk besoj kurrë se ky është një orientim, një parim i vendit të saj të Lirisë. Ky është një akt individual për të cilin ne në mënyrë absolute do të informojmë me hollësi autoritetet e SHBA-së.