Dekriminalizimi, Prokuroria: Të ikin nga detyra Selami, Tahiri dhe Roshi

0
1239
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Prokuroria e Përgjithshme kërkon të ndalohet ushtrimi i detyrës për deputetët Dashamir Tahiri dhe Shkëlqim Selami, si dhe kryebashkiakun e Kavajës Elvis Roshi pasi rezultojnë se janë dënuar më parë për vepra të ndryshme penale.

Në bazë të ligjit të Dekriminalizimit, këta tre zyrtarë duhet të ndërpresin mbajtjen e funksionit publik.

Deputetët që urdhërohet t’u ndërpritet mandati, janë Dashamir Tahiri i PDIU – partia që mbron të drejtat e çamëve dhe Shkëlqim Selami i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Largim nga detyra kërkohet edhe për kryetarin e Bashkisë së Kavajës Elvis Roshi. Ky i fundit ka një dosje penale të bollshme, që nga trafiku i drogës e pastrimi i parave dhe deri në përdhunimin në grup.

Prokuroria e Përgjithshme thotë se kërkon heqjen e funksioneve të këtyre tre zyrtarëve, në zbatim të ligjit “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”. Verifikimet e bëra, sjellin si shkak ndalimin e ushtrimit të funksionit.

Jo vetëm kaq, Prokuroria ka nisur edhe hetimet për veprën penale të “Falsifikimit të formularëve.

Problemet penale të tre zyrtarëve

Deputeti Dashamir Tahiri

Nuk ka deklaruar në formularin e “Dekriminalizimit” të dhëna që lidhen me të kaluarën e tij penale.

Kështu në vitin 1995 është raportuar nga policia italiane në Foggia për krime lidhur me falsifikimin e parave.

Në vitin 2009 është dënuar nga gjykata në Ravena (për të vuajtur 9 muaj burgim) për përdorim të një leje drejtimi shqiptare të falsifikuar.

Tahiri është kontrolluar disa herë nga policia.

Çfarë thotë Tahiri

Lidhur me këto çështje penale, z.Tahiri thotë se nuk ka qenë në dijeni të dënimit me burgim në Itali. Ndërsa, lidhur me procedimin për “falsifikim parash”, thotë se bëhet fjalë për një episod në autostradë, kur, siç thotë ai, është mashtruar nga një kamerier lokali, i cili i ka dhënë para false.

Deputeti Shkëlqim Selami

Rezulton se nuk ka deklaruar në formularin e “Dekriminalizimit” të dhëna për një masë sigurimi “arrest me burg”, nxjerrë ndaj tij nga ana e gjykatës së Brindizit në Itali. Bëhet fjalë për masë sigurie të dhënë në vitin 1994, si i dyshuar për pjesëmarrje në organizatë kriminale që merrej me “Trafikim të qenieve njerëzore”. Masa e sigurisë është ekzekutuar vetëm 12 vjet më vonë, në vitin 2006. Ai ka qëndruar një javë në paraburgim në Brindizi dhe më pas është lënë i lirë por duke i vazhduar hetimi penal.

Çfarë thotë Selami

Shkëlqim Selami në një prononcim për median mohoi të ketë qenë i dënuar më parë në Itali. “Jam thirrur nga Prokuroria duke qenë që KQZ ka dërguar një shkresë në prokurori lidhur me deputetin Selami. KQZ ka deklaruar se nuk ka asnjë kundërshtim me deklarimin e tij, dhe prokuroria bëri disa pyetje për paqartësitë e saj. Ta dinë dhe mediat nuk kam asgjë në Itali. Akuzohesha në 1994, që e kam marrë vesh në 2000, gjë që bie ndesh me të gjithë veprimtarinë time. Pasi në 1994 nëse unë do të kisha marrë vesh ose të dija që kisha një problem do e kisha mbyllur 100 herë. Për këtë problem që faktikisht nuk ekziston që e mbylla në 2007. Por absolutisht çdo shqiptar apo vlonjat e di që në 1994, 1995, 1996, 1997 vija 10 herë në muaj në Itali se bëja biznes. Nëse unë do isha i dënuar apo i kërkuar si do të veja në Itali! Nuk kam bërë proces gjyqësor zero. Unë jam ndaluar, në atë kohë ishte e premte, e shtunë, e dielë, erdhi avokati solli fletën unë dola. Më mbajti policia 3 ditë derisa u sqarua çështja. Nuk jam ndaluar dhe as kam vajtur në gjyq dhe nuk kam bërë asnjë gjyq, jo vetëm në Itali po në asnjë vend të botës, zero”, – deklaron Selami.

Kryebashkiaku Elvis Rroshi

Kryetari i Bashkisë Kavajë, rezulton se nuk ka deklaruar në formularin “Për Dekriminalizimin”, një “lumë” problemesh me ligjin. Kështu ai ka marrë një dënim për veprën penale të “Përdhunimit” në grup, në vitin 1995 në Itali.

Në prill 1993 ka hyrë në mënyrë të paligjshme në shtetin zviceran dhe ka kërkuar azil. Më 14 maj 1993, është ndaluar nga policia e Zyrihut për një rast droge dhe është dëbuar 4 muaj më vonë.

Në korrik 1997 ka hyrë përsëri në mënyrë të paligjshme dhe ka kërkuar azil. Në gusht 1997 është dëbuar sërish.

Në vitin 2015, DEA e USA ka informuar autoritetet zvicerane se po hetonin një shtetas të quajtur Enver Rroshi për trafik droge dhe pastrim parash.

Rroshi nuk ka deklaruar përdorimin e disa emrave në Zvicër.

***

Siç shihet në dosjen e pasur të Rroshit, por edhe të shumë të tjerëve që emrat ende nuk u kanë dalë, për fat të keq politikanët shqiptarë kanë zgjedhur që në poste drejtuese të zgjedhin kriminelë.

Në vend që si të zgjedhur të popullit të emërohen figura të respektuara dhe të dashura për publikun, shqiptarëve u janë servirur përdhunues, vrasës dhe kriminelë të plot veprave të tjera penale.

Ajo që shokon edhe më shumë në këtë situatë, është se politikanët që i kanë emëruar, vazhdojnë t’i mbrojnë me ngulm të zgjedhurit e tyre.

Ndërkohë, po vijon procedura e verifikimit në kuadër të ligjit “Për dekriminalizimin” edhe për një numër të konsiderueshëm zyrtarësh.

Zjarr Tv Ad