Një ditë para mbajtjes së gjyqit publik kundër kryetarit të Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, këshilltari i bashkisë i cili nuk pranon të identifikohet me emër, e pranon publikisht se kërkesa që ata kanë firmosur për përballjen me Dritan Lelin, ka qenë instruktim politik.
Në një audiopërgjim të siguruar nga FaxNews, këshilltari e pranon hapur se përballja e iniciuar mes Këshillit Bashkiak të Vlorës dhe Dritan Lelit, është një kërkesë e formuar nga Partia Socialiste, për t’i bërë gjyqin publik kryebashkiakut që nuk i është bindur urdhërave të Kryeministrit Rama.
Fax News disponon audion origjinale, ku këshilltari thekson se ata kanë qenë të detyruar të firmosin shkresën që u ka ardhur, megjithëse mendojnë se Dritan Leli ka punuar.
“Më vjen keq, se ai (Dritan Leli), ka punuar, por këto janë gjëra politike”, dëgjohet të thotë këshilltari.
Biseda e plotë e këshilltarit me një bashkëbisedues tjetër (Audiopërgjimi):
Këshilltari: Ti sikur s’e di, këto janë gjëra politike dhe ne nuk duhet të ndërhymë në këto. Ne na e dhanë, lexoje për të firmosur, duhet firmosur dhe kaq!
Bashkëbiseduesi: Kush e kishte bërë apo…?
Këshilltari: E kupton ti tani! Tani ti e kupton si është situata që ata e bëjnë për ta hequr atë.
Më vjen shumë keq s’doja të firmosja, unë me … kemi debatuar, por s’kemi ç’a bëjmë. Ata tani do marrin, domethënë do bëhet një mbledhje kshu shpejt e shpejt, mund të bëhet dhe të premten, nuk e di s’na kanë dhënë asnjë informacoion.
Bashkëbiseduesi: Edhe ç’a duan të bëjnë? Të bëjnë këtë si tip gjyqi publik?
Këshilltari: S’e di! Ne kemi debatuar nuk donim të firmosnim!
Bashkëbiseduesi: Ma merr mendja, afër mendjes është që të mos firmosni.
Këshilltari: Ai po punon nuk ka se s’ka punuar. Punët e këtyre si rrjedhin nuk e dim, po s’kemi ç’a të bëjmë në këto kushte jemi, ata i kanë gjërat politike. Ne s’kemi ç’a të bëjmë!
Bashkëbiseduesi: E kuptoj
Këshilltari: Kështu ne na vunë ato letrat përpara, kundërshtuam për t’i firmosur. Do bëhet dhe do jetë dhe Kryeministri në mbledhje me 22 këshilltarët
Bashkëbiseduesi: Do vi dhe vetë Rama?
Po po do vi dhe Rama e kishim në letra. Përderisa e kishim të shkruar do jetë dhe do jetë urgjente
Kujtojmë se vetëm pak ditë më pare, me një shkresë të firmosur nga një pjesë e konsiderueshme e këshilltarëve të Bashkisë së Vlorës, u kërkua nga kryetarja Migena Balla, që me kryebashkiakun Dritan Leli, të ketë një ballafaqim publik, mbi arsyet që sipas asaj që thuhen në letër, ka të bëjë me punët e munguara në qytet. Në shkresën e firmosur prej këshilltarëve, theksohej se në gjyqin publik ndaj Lelit, do të merrte pjesë dhe Kryeministri Rama, gjë e cila konfirmohet në audio-përgjimin e mësipërm.