Del i pafajshëm/ Gjyqtari Guximtar Boçi kërkon rikthimin në detyrë

0
69
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Ish-kryegjyqtari i Gjirokastrës, Guximtar Boçi ka kërkuar rikthimin e tij në detyrën e mëparshme pas pezullimit dy vjet më parë.  Kërkesa e Boçit vjen pas shpalljes së  pafajësisë me një vendim të Gjykatës së Apelit Vlorë në shtator të vitit 2018.

Në kërkesën e bërë në datën 20.12.2018 për revokimin e masës së pezullimit të ushtrimit të detyrës së gjyqtarit dhënë me vendim nr 102. Dt 28.10.2016 të KLD, të siguruar nga mediat theksohet se shkarkimi u krye në 28.10.2016 pas një mbledhje të jashtëzakonshme me kërkesë të ministrit të drejtësisë së kohës.

“Sipas procesverbalit të kësaj mbledhjeje rezultoi se një pjesë e mirë e anëtarëve të KLD kanë kërkuar shtyrjen e mbledhjes për të verifikuar rastin dhe për t’i dhënë personit të akuzuar të drejtën për t’u dëgjuar, por, gjithmonë sipas këtij procesverbali, vendimi i shkarkimit është dhënë pas këmbënguljes së Ministrit të Drejtësisë dhe kryetarit të KLD se mosmarrja e masave konkrete do t’i dënonte në sytë e opinionit publik”, thuhet në kërkesë.

Shkarkimi i gjyqtarit  u mbështet në disa fakte të bëra publike në media, në një emision investigativ, ku ai akuzohej për korrupsion pasiv, dhe afera seksuale.

Kërkesa e tij për rikthimin në detyrë, vjen në kohën kur hetimet nuk kanë konkluduar në favor të kërkesës së shtetases R.I. duke rrëzuar kështu shkakun e pezullimit të ish- kryegjyqtarit gjirokastrit, ndërsa çështja penale është pushuar dhe ankimimet ndaj këtij vendimi janë pezulluar me vendim gjyqësor të formës së prerë.

Ligji, nga ana tjetër parashikon një afat kohor nga tre muaj deri në dy vjet për marrjen e masës së pezullimit, periudhë e cila është ezauruar duke i dhënë të drejtën gjyqtarit Boçi të kërkojë rikthimin në detyrë. Vendimi i pezullimit që u mor në datën 28.102016 përfundoi afatin e vet dy vjeçar në 28.10.2018.

Ish-gjyqtari Boçi ka drejtuar kërkesa në mënyrë të përsëritur në KLD prej 09.06.2017 e në vazhdim duke kërkuar rikthimin në detyrë, por kërkesat e tij nuk janë marrë në shqyrtim. Kërkesa e parë është drejtuar në datën 9 qershor 2017, ndërsa kërkesa e fundit që i drejtohet organit të ri KLGJ mban datën 20 dhjetor 2018 dhe pritet shqyrtimi i saj brenda afateve ligjore.

 

Zjarr Tv Ad