Policia greke ka vendosur të publikojë fotografitë dhe identitetin e një shtetasi grek dhe dy shtetasve shqiptarë, që akuzohen se në vitet 2016-2017 abuzonin seksualisht me fëmijë të mitur.
Bëhet fjalë për 83-vjeçarin grek, Dimitris Panitzidis, si dhe dy shqiptarët Altin Gega 24 vjeç dhe Jorgos Bulitsko 22 vjeç, të cilët zhvillonin veprimtarinë e tyre kriminale në Makrohori të Verias, në Greqinë e Veriut.
Nga 3 të arrestuarit, njëri prej shqiptarëve ishte i dashuri i nënës së fëmijëve të mitur, ndaj të cilëve abuzohej; i dyti shoku i tij, kurse i moshuari grek abuzonte ndaj fëmijëve përkundrejt pagesës.
Sa i përket nënës së fëmijëve, e cila ishte në dijeni dhe përfitonte edhe ajo nga shuma e parave, nuk bëhet ende i ditur identiteti i saj.
Publikimi i identitetit të tyre dhe fotografive është bërë me urdhër të Prokurorisë dhe do të qëndrojë në rrjet deri në fund të këtij viti, në mënyrë që policia të mund të marrë edhe dëshmi të tjera për të plotësuar dosjen penale të të arrestuarve, që kanë marrë edhe masën e paraburgimit.