Dënimi i Saimir Tahirit, mediet ndërkombëtare: Dikur ishte bashkëpunëtori më i afërt i Ramës

0
27
Former Albanian Interior minister Saimir Tahiri looks on in Tirana, Albania October 9, 2017 REUTERS/Florion Goga
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Gjyqi maratonë ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, është ndjekur me vëmendje të madhe jo vetëm brenda Shqipërisë, por edhe nga ndërkombëtarët.

Përveç përfaqësuesve të ambasadave të huaja, procesi është ndjekur edhe nga gazetarë të huaj, të cilët e kanë pasqyruar në mediet ndërkombëtare, si dhe vendimi i Gjykatës së Krimeve të Rënda për ta shpallur fajtor ish-ministrin për shpërdorim detyre. Agjencia ndërkombëtare e lajmeve “Reuters” i kushton një artikull Saimir Tahirit, duke u hapur me titullin “Ish-ministri shqiptar i pastër për akuzat e drogës, fajtor për shpërdorim detyre”.

Më tej, në shkrim agjencia prestigjioze shkruan se “Një gjykatë shqiptare e shpalli fajtor ish-ministrin e brendshëm Saimir Tahiri të enjten për shpërdorim detyre por të pafajshëm për trafik droge, dhe e dënoi atë me tre vjet shërbim provë”.

Më tej, shkrimi i “Reuters” vijon si më poshtë:
Prokurorët donin që Tahiri, dikur një nga bashkëpunëtorët më të afërt të kryeministrit Edi Rama, të burgosej për 12 vjet me akuzën e korrupsionit, trafikut të drogës dhe të qenurit pjesë e një grupi kriminal, një rast që ka tronditur administratën e majtë.

Vendimi vjen një muaj para se vendet anëtare të Bashkimit Evropian, të interesuar të shohin Tiranën të rrisë luftën e saj kundër korrupsionit, të takohen për të vendosur nëse do të mbështesin ofertën e Shqipërisë për të filluar bisedimet e pranimit të rekomanduara nga Komisioni i BE.

“Gjykata tha që nuk jam kriminel apo trafikant droge dhe nuk jam pjesë e një grupi kriminal, por më shpalli fajtor për shpërdorim detyre sepse kam përdorur të njëjtën makinë me disa kushërinj”, u tha Tahiri gazetarëve pas verdiktit, e cila u dha gjashtë orë më vonë se sa ishte planifikuar.

Socialistët në pushtet hodhën poshtë thirrjet për të hequr imunitetin e Tahirit nga ndjekja penale vitin e kaluar, por ai hoqi dorë vetë nga imuniteti në muajin maj, pasi BE kërkoi nga Tirana që të luftonte seriozisht korrupsionin, nëse dëshironte të bashkohej.

Aktualisht, Shqipëria po verifikon gjyqtarët dhe prokurorët e saj për korrupsionin për t’i dhënë fund një historie të pandëshkueshmërisë për zyrtarët e lartë, pasi synon të plotësojë kërkesat e hyrjes në BE.

Ndërkohë, vendimi për Saimir Tahirin ka tërhequr vëmendjen edhe të medieve të tjera botërore, disa prej të cilave po i sjellim shkurtimisht më poshtë:

Ansa: “Ish-minister ne kabinetin e kryeministrit socialist të Edi Ramës, në detyrë deri në marsin e kaluar 2017, Tahiri përfundoi në gjyq pas hetimeve të kryera në Itali, hetime që çuan, në tetor të po këtij viti, në shkaterrimin e një organizatë kriminale e përbërë nga italianë dhe shqiptarë, disa të afërm të ish-ministrit, qe merreshin me trafikimin ndërkombëtar të drogës dhe armëve. Tahiri tashmë ka njoftuar se do të apelojë vendimin”.

Euronews: “Ligjvënësit socialistë në pushtet refuzuan thirrjet për të hequr imunitetin e Saimir Tahirit vitin e kaluar dhe per tja dorezuar drejtesise, por ai hoqi dorë vetë nga mandati i deputetit në muajin maj pasi shtetet e BE kërkuan nga Tirana që të luftonte seriozisht korrupsionin nëse dëshironte të anëtarësohej ne BE.

Një nga yjet në ngjitje të Partisë Socialiste kur u emërua ministër i Brendshëm në vitin 2013, kur ishte vetëm 34 vjeç, Tahiri filloi modernizimin e forcës policore dhe i dha fund prodhimit në shkallë industriale të kanabisit në Lazarat në fillim të vitit 2014.

Sidoqoftë, kanabisi më pas u përhap në të gjithë vendet e Ballkanit dhe trafikantët kanë zbarkuar ngarkesa deri në një ton në Itali”.

BalkanInsight: “Gjykata i jep ish-ministrit të Brendshëm një dënim me burg të pezulluar për shpërdorim detyre, por e konsideron atë jo fajtor për akuzat më të rënda për trafik droge, në një aktgjykim që partia kryesore e opozitës e quajti “të turpshem”.

Zjarr Tv Ad