Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj me një deklaratë nga selia blu u ndal tek dënimi me shërbim prove për ish-ministrin Saimir Tahiri. Ai theksoi se Saimir Tahiri ka qenë njeriu që zbatoi planin e kryeministrit Rama për të kanabizuar vendin. Sipas tij, sa të jetë Rama kryeministër drejtësia shqiptare do jetë me dy standarde.
Fjala e plotë:
Saimir Tahiri nuk do të bëjë asnjë ditë burg. Njeriu që zbatoi planin e Edi Ramës për të kanabizuar Shqipërinë në funksion të blerjes së pushtetit me paratë e drogës, nuk ndëshkohet nga drejtësia, sepse me Edi Ramën në krye të qeverisë, drejtësia ka dy standarde: Saimir Tahiri në liri, duke shijuar pushtetin, paratë dhe luksin, ndërsa shqiptarët e zakonshëm në burg, ku humbin jetën për asgjë.
Estref Halili, një 22 vjeçar nga Kolonja e Lushnjës u burgos për një cigare hashash ditën e Krishtlindjes dhe vrau veten në qelinë e burgut, ndërsa Saimir Tahiri nuk ka për të bërë as edhe një ditë burg, sepse ka mbrojtjen e Edi Ramës. Qamil Zela kryefamiljari 52 vjeçar që mezi ushqente familjen e tij, vrau veten në burg se nuk kishte 35 mijë lekë për të paguar energjinë elektrike.
17 kuksianë u mbajtën në burg më shumë se 1 vit, sepse protestuan kundër korrupsionit të Edi Ramës, që u vuri traun me 5 euro për të shkuar në shtëpi. Ky është shteti me dy standarde që ka ndërtuar Edi Rama. Liri për bashkëpunëtorët e tij në krim, burg për shqiptarët e zakonshëm dhe të pambrojtur. Me Edi Ramën nuk ka drejtësi të barabartë për të gjithë. Ai do të vazhdojë ta vendosë drejtësinë në shërbim të politikanëve të korruptuar e të lidhur me krimin, si Saimir Tahiri, në shërbim të trafikantëve të drogës dhe krimit të organizuar, që i siguron mbajtjen e pushtetit me zgjedhje të vjedhura. Shërbimi më i madh për drejtësinë dhe për vendin është ndarja e politikës nga krimi. Aty është burimi i të gjitha të këqijave. Pa prerë lidhjet e politikës me krimin, në Shqipëri nuk ka për të patur drejtësi të vërtetë, më të pamundurit do të vuajnë burgjeve, ndërsa të pushtetshmit si Edi Rama dhe Saimir Tahiri, do të vazhdojnë të jetojnë në luks pa u ndëshkuar!