Dënimi i ish-Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri ka bërë jehonë edhe ne mediat ndërkombëtare. Reagimet e mediave greke dhe amerikane vënë në dukje faktin se qeveria aktuale është po ajo ku Tahiri ka pasur mundësinë të kryejë aktet kriminale lidhur me krimin e organizuar.
Arrestimi i ish-Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri ka bërë jehonë edhe në mediat ndërkombëtare. Fqinjët tanë në Greqi raportojnë se “ish-ministri dhe bashkëpunëtor i ngushtë i kryeministrit Rama është burgosur për shpërdorim të detyrës.
Europost dhe Ekathemerini, media të mirënjohura greke thonë se Tahiri, ish-ministri i qeverisë së Edi Ramës është dënuar edhe për dhuratat e shumta që ka marrë nga trafikantët e drogës dhe përfshirjen në rrjetet kriminale. Kjo gjë sipas tyre vë në dyshim besueshmërinë e qeverisë aktuale.
Mediat e mirënjohura amerikane, Washington Post, Associated Press si edhe Politiko, në shkrimet e tyre për këtë çështje vënë në pikëpyetje një qeveri që tashmë ka ish-Ministrin e Punëve të Brendshme të shtetit në burg për korrupsion dhe përfshirje në krimin e organizuar, në një kohë që një vend si Shqipëria duhet të jetë duke punuar mbi luftën kundër këtij fenomeni.
Saimir Tahiri u dënua me tre vjet e katër muaj burg. Gjyqtari i Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsion dhe Krim të Organizuar, Engert Pëllumbi, tha se Tahiri kishte përfituar “shërbime dhe përfitime të padrejta dhe në të njëjtën kohë, me shpërdorimin e postit, ai ka abuzuar me interesat ligjore”.