Nga dita kur kryetari i PD, Lulzim Basha vendosi të përjashtojë Sali Berishën nga grupi parlamentar, përçarja e demokratëve është thelluar gjithnjë e më tepër.
Thuajse s’ka asnjë rast kur në postimet e deputetëve demokratë në rrjetet sociale, tashmë të rikthyer në Kuvend dhe institucionet e tjera, të mos ketë komente që e dëshmojnë këtë përplasje.
Dy rastet më të fundit janë në postimin e Jorida Tabakut dhe Belind Këlliçit. Tabaku është akuzuar nga një komentuese për “bashkëqeverisje me Ramën”, pasi sot u shfaq krah socialistëve në mbledhjen e parë të Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian.
Tabaku i përgjigjet duke thënë se sot ajo ka ngritur zërin për disa fenomene si blerja e votës apo patronazhishtët. “Nëse ne s’do ishim në kuvend kush do qe për të folur për to?!”, pyet Tabaku.