Deputeti demokrat Saimir Korreshi foli sot për rritjen e çmimit të naftës në vend, e cila sot shkoi në 265 lekë për litër. Sipas tij kjo po ndodh pasi nuk ka një reagim të fortë nga populi.
Ai tha në një intervistë në “Faxnews” se opozita duhet të merrte përgjegjësitë dhe të organizonte protesta të qëndrueshme dhe jo të grinden me njëri-tjetrin.
“Një pjesë të fajit e kemi ne si opozitë. Se e kemi mendjen të zihemi me njëri tjetrin jo të bëjmë opozitë. Ne duhet të reagojmë me të gjitha forcat sepse është moment vendimtar ku po shkrihet e gjithë shtresa e mesme dhe po krijohen vetëm oligarkë.E kanë lënë naftën 265 dhe nuk e lëvizin fare. Si mund të punojnë autokëmbanat dhe traktorët kur nafta është 3 mijë lekë?
Është çmenduri. Këtu po ndodh kjo se meqë janë kapur të gjithë pushtetet, atëherë thonë hajt ta ngrejmë çmimin sa të mundet se as këta nuk po reagojnë. Protestën e shikoj me trishtim se ka disa gjëra të errëta tek këto protesta. Ose kur shikoj që reagon populli apo shoqëria civile ndërhyjnë disa faktorë të tjerë për të bërë të mundur që ata njerëz që janë me shpirt atje t’i largojnë një nga një.
Opozita ta ketë në genin e vetë, jo të dalin të dielave e të publikojnë foto në plazh. Duhet të mblidhemi t’i lëmë inatet”, tha deputeti Korreshi.