Deputetët e rinj të PS nisin “shkollën”, lektori i parë Fatmir Xhafaj

0
0

Në ambientet e selisë së Partisë Socialiste ka nisur këtë të premte nga ora 09:00, shkolla verore e socialistëve.

Lektori i parë para 39 deputetëve të rinj socialistë, të dalë fitues nga procesi zgjedhor i 11 majit, do të jetë një “xhaketë e vjetër” e PS, si Fatmir Xhafaj.

Deputetët e rinj të mazhorancës do të duhet të shtyjnë kështu pushimet, pasi fillimisht do të marrin pjesë në shkollën verore të “Akademisë Politike”, që do të zgjasë një muaj, nga sot deri më 20 korrik.

Lektorët dhe klasat do të ndahen në lëndë të ndryshme, të strukturuara si module që përfshijnë: sjelljen e deputetit, funksionimin e Parlamentit, marrëdhëniet ndërkombëtare dhe vizionin e PS për vitin 2030.

Moduli i parë, me lektorë Edi Ramën, Fatmir Xhafajn, Erion Braçen dhe Niko Peleshin është roli kushtetues i deputetit, marrëdhënia me elektoratin dhe etika e përfaqësimit.

Moduli i dytë, me lektorë Etilda Gjonaj, Klotilda Bushka dhe Toni Gogu, i dedikohet Arkitekturës së Kuvendit dhe procesit legjislativ.

Moduli i tretë, marrëdhëniet ndërinstitucionale dhe ndërkombëtare, do të shpjegohen nga Elisa Spiropali, Adea Pirdeni dhe Olta Xhaçka.

Komunikimi politik është moduli i katërt, me Taulant Ballën, Endri Fugën dhe Eduard Shalsin që do t’i tregojnë deputetëve të rinj si të performojnë.

“PS dhe vizioni 2030” është moduli i pestë, që do të sillet në Akademinë Politike prej Milva Ekonomit, Bledi Çuçit dhe Evis Kushit.

Zjarr Tv Ad