Kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka thotë se negociatat për zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës do të jenë me grupet zyrtare në Kuvend. Bushka tha se deri tani negociatat janë bërë me kreun e grupit parlamentar, Enkelejd Alibeaj.
“Procesi është parlamentar dhe nuk mund të hyjmë në konfliktet brenda PD. Negociatat janë zyrtare dhe negociatat do të bëhen me grupet zyrtare”, tha përfaqësuesja e PS në Euronews. Sipas saj, mazhoranca socialiste po bën përpjekje për të zgjedhur një president me konsensus të gjerë.
Deputetja shtoi se mazhoranca kërkon të zgjedhë një President të ri me konsensus të gjerë pavarësisht se i ka votat e nevojshme në Parlament për ta zgjedhur kreun e shtetit në mënyrë të njëanshme.
Duke iu referuar takimit që ambasadorja amerikane, Yuri Kim ka pasur të martën me kreun e grupit parlamentar të PD, Enkelejd Alibeja, Bushka tha se nuk ka presion nga SHBA për zgjedhjen e Presidentit.