Deputetja jep alarmin: Skandaloze, Edi Rama kërcënon pedagogët me stil enverist

0
43
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Një akuzë e rëndë vjen nga deputetja e Partisë Demokratike, Valentina Duka e cila shprehet se kryeministri Rama po kërcënon pedagogët me një arrogancë dhe stil enverist.

Në një postim në Facebook, Duka akuzon kryeministrin Rama se “ka filluar një fushatë manipulimesh dhe kërcënimesh ndaj studentëve dhe stafeve universitare, e shoqëruar kjo me një prirje arrogante për të denigruar e diskredituar pedagogët e universiteteve tona duke u përpjekur më kot që fajtori për gjendjen e mjeruar të arsimit shqiptar të kërkohet tek ata dhe jo te qeveria e “Rilindjes”.

Postimi i plotë:

Në mbështetje të pedagogëve të Fakultetit Histori-Filologji

Skandaloze! E paimagjinueshme për një vend demokratik! Edi Rama kërcënon me gjuhë arrogante e me stil enverist pedagogët e universiteteve shqiptare! Skena të këtyre ditëve i ngjajnë një salle të madhe gjyqi ku i akuzuari nuk është kryeministri që po shkatërron Shqipërinë, por profesorati i universiteteve! “Faji” i këtyre të fundit? Nuk po “bëjnë zap” studentët në auditore, për të mos i lejuar ata të protestojnë para kryeministrit!

Rama dhe kabineti i tij qeveritar duhet të braktisin menjëherë demagogjinë e mashtrimet dhe te plotësojnë sa më parë kërkesat e studentëve. Në vend që të punojë për të realizuar kërkesat e studentëve, qeveria ka filluar një fushatë manipulimesh dhe kërcënimesh ndaj studentëve dhe stafeve universitare, e shoqëruar kjo me një prirje arrogante për të denigruar e diskredituar pedagogët e universiteteve tona duke u përpjekur më kot që fajtori për gjendjen e mjeruar të arsimit shqiptar të kërkohet tek ata dhe jo te qeveria e “Rilindjes”. Me keqardhje të thellë vërejmë se raporte të tilla të këqia e problematike të një qeverie me universitetin, nuk janë shfaqur në Shqipëri as në kohët më të errëta të komunizmit. Kjo gjë nuk i shërben reformimit të universiteteve tona, të cilat me gjithë mangësitë e dobësitë e tyre, kanë një meritë thelbësore për edukimin e rinisë sonë universitare. Të gjithë e dimë se universitetet tona nuk janë dhe nuk mund të jenë as në nivelin e Harvardit dhe as në nivelin e Oksfordit, por duhet të mbajmë parasysh se edhe Shqipëria nuk është as Amerikë dhe as Angli.
Asnjë alibi nuk e shpëton sot nga përgjegjësia e rëndë që ka qeveria Rama për problematikën e mprehtë me të cilën ballafaqohet arsimi i lartë në Shqipëri. Nëse ajo vijon me kokëfortësi politikat degraduese ndaj këtij sektori jetik për vendin, sistemi i arsimit tonë të lartë mund të destabilizohet për një kohë të gjatë. Studentë dhe pedagogë mund bashkarisht të marrin valixhet dhe të largohen nga vendi çka do të jetë një katasrtofë më e madhe e kanabizimi i Shqipërisë.
Në vend të talljes me studentët dhe me stafet akademike të universiteteve, në vend të përpjekjeve për t’i degraduar gjithnjë e më shumë, merrni mbi vete përgjegjësitë e duhura për të plotësuar kërkesat e studentëve që këta t’i rrikthehen auditoreve, bëjuani dinjitoze pagat pedagogëve që të mos jenë të varur nga shitja shpesh e librave, përpiloni vkm që i shërbejnë shëndoshjes së situatës dhe jo shkatërrimit të institucioneve, mos e ktheni Akademinë e Shkencave në një institucionin e policisë së plagjiaturës, sepse universitetet mund dhe duhet të ngrenë vetë mekanizmat e tyre kundër plagjiaturës nëqoftëse mbështeten financiarisht nga qeveria, mos ndërtoni grupe pune për të përcaktuar librat me të cilat do të punohet në universitete sepse kjo nuk ka ndodhur as në ditët më të egra të diktaturës, literatura është eskluzivitet i departamenteve të universiteteve, por ju duhet të jepni fonde për këtë qëllim. Përmirësoni infrastrukturën universitare dhe fjetoret e studentëve, mendoni më shumë për bibliotekat dhe për kampuset universitare siç bëjnë qeveritë e vendeve të tjera. Këto realizohen vetëm duke rritur buxhetimin për Arsimin e Lartë publik.

Arsimi publik, sidomos në një vend të varfër si Shqipëria, ka një rëndësi përcaktuese në këtë drejtim dhe është përgjegjësi dhe sipërmarrje e detyrueshme e vetë shtetit, prandaj ky i fundit duhet të bëjë të gjitha përpjekjet për të krijuar kushtet e duhura ligjore, materiale dhe financiare për mbarëvajtjen e këtij sektori.
Ndërsa duket se ndaj këtij sektori ju ushqeni qëllime të mbrapshta të cilat po dalin në pah nga dita në ditë. Duke u mbështetur edhe në frymën dhe nenet e ligjit aktual të arsimit të lartë, ju krijuat një kundërvënie të universiteteve publike me familjet e shqiptarëve për tarifat e shkollimit, në vend që ju të realizoni detyrat tuaja qeverisëse duke projektuar politika sociale në raport me këto tarifa. I keni të gjitha mundësitë financiare që sistemin trevjecar (nivelin Bachelor) të mos e tarifoni për shqiptarët të cilët e duan shkollimin, në mënyrë që fëmijëe tyre të mos privonen nga universiteti për shkak të varfërimit gjithnjë e më tepër të tyre.
U premtuat senatorëve në takimin e vitit të kaluar se ju dhe qeveria juaj ishte e gatshme të bashkëpunonte me universitetet për çështje ekspertizash dhe projektesh, por nuk bëtë asgjë në këtë drejtim. Apo këto premtime vijnë sa herë që studentët dhe stafet akademike ngrenë zërin për probleme që i shqetësojnë?
Zgjidhja fillon vetëm me plotësimin e kërkesave të studentëve, me pranimin nga ana juaj i dështimit të reformës së Arsimit të Lartë dhe fillimi seriozisht i përmirësimit të kushteve infrastrukturore dhe akademike të universiteteve të Shqipërisë.

Zjarr Tv Ad