Dështimi i ambicieve të të rinjve në PD/ Atë që ëndërronin me Lulzim Bashën e humbën edhe me Sali Berishën

0
66
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Megjithatë, Basha do ta godiste Berishën disa muaj më vonë, dhe me ndihmën e amerikanëve, pasi Departamenti Amerikan i Shtetit e shpalli liderin historik të Partisë Demokratike ‘nongrata’ me arsyetimin se “veprat e korrupsionit të ish-kryeministrit minojnë demokracinë”.

Përjashtimi përkohësisht nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike të Berishës nga ana e ish-kryedemokratit Lulzim Basha shkaktoi një valë reagimi në radhët e funksionarëve dhe militantëve të kësaj force politike. Një ndër ta ishte edhe Belind Këlliçi.

Së bashku me të rinjtë e Partisë Demokratike, Këlliçi si drejtues i Forumit Rinor të kësaj force politike mbështeti reagimin e Berishës ndaj përjashtimit të tij nga grupi parlamentar i selisë blu.

Madje Këlliçi u investua edhe në takimet me të rinjtë duke theksuar se Berisha ishte e vetmja shpresë për të rrëzuar kryeministrin Edi Rama dhe për të sjellë të djathtën në pushtet. Që pas zgjedhjes si kryetar i Forumit Rinor të Partisë Demokratike, ambiciet politike të Belind Këlliçit ishin rritur duke i mbajtur sytë drejt pozicioneve më të larta drejtuese të Partisë Demokratike.

Duke parë se ai nuk mundi të arrijë këto pozicione përgjatë lidershipit të Lulzim Bashës, Këlliçi pa si rrugë katapultimi bashkimin me ish-kryeministrin Berisha, edhe pse ky i fundit ishte shpallur ‘nongrata’ dhe i piketuar si krejt i padëshirueshëm nga amerikanët për të qenë pjesë e Partisë Demokratike. Për këtë arsye, Këlliçi punoi dhe investoi përgjatë ringritjes së Berishës për të ardhur në majën e Partisë Demokratike, ku e kishte braktisur në vitin 2013.

Këlliçi iu bashkua nismës së Berishës i cili e nisi me foltoret në qytetet e ndryshme të vendit, për të ardhur në mbledhjen e Kuvendit Kombëtar të 11 dhjetorit të vitit të kaluar. Në Kuvendin Kombëtar, kryetar i Komisionit u zgjodh Belind Këlliçi i cili drejtoi të gjithë procesin, duke nisur nga fjalimet e delegatëve e deri te zgjedhja e tyre.

Duke pasur parasysh këtë investim, Belind Këlliçi tashmë priste shpërblimin nga lideri historik i së djathtës, Sali Berisha i cili në disa raste, nuk i kurseu elozhet për të riun ambicioz.

Në zgjedhjet e fundmajit për funksionet drejtuese në Partinë Demokratike, edhe pse i votuar me numrin më të madh të votave në garën e Këshillit Kombëtar, Belind Këlliçi nuk arriti të marrë votat e mjaftueshme për tu bërë nënkryetar i PD-së, duke u renditur pas Luçiano Boçit dhe Oerd Bylykbashit.

Në këtë mënyrë, Belind Këlliçit iu ‘shua ëndrra’ që besoi se do ta realizonte me rikthimin e Berishës në krye të PD-së, por që në fakt rezultoi po aq zhgënjyese sa edhe vetë ‘epoka politike’ e Lulzim Bashës/Panorama

Zjarr Tv Ad