Dështimi me negociatat, PD: Edi Rama të japë dorëheqjen!

0
5

“Për të mirën e vendit, Edi Rama duhet të japë dorëheqjen dhe të çlirojë vendin nga keqqeverisja e tij.” Kjo është thirrja që Partia Demokratike i ka drejtuar sot kreut të qeverisë, Edi Ramës, pas dështimit të tij të tretë për të hapur negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë me BE-në.

Në një deklaratë të PD nga Arben Kashahu, Sekretar për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në këtë parti, thuhej:

“Edi Rama vuri sërish interesin e pasurisë dhe pushtetit të tij personal përpara interesit të shqiptarëve dhe fatit europian të Shqipërisë.

Ai ka vënë në levizje mekanizimin e propagandës për të fajësuar Bashkimin Europian, duke mos i njohur vetes asnjë përgjegjësi pse Shqipërisë nuk iu hapën sërish negociatat.

Faji nuk është i Europës! Pengesa kryesore për moshapjen e negociatave është Edi Rama.

Ai ka 6 vjet që, me keqqeverisjen e tij, po bllokon ëndrrën e shqiptarëve për t’u bërë pjesë e familjes europiane. Ndaj, duhet të jetë e qartë për të gjithë, nëse Shqipëria do që të bashkohet me Bashkimin Europian, kjo do të ndodhë pa Edi Ramën.

Për të mirën e vendit, Edi Rama duhet të japë dorëheqjen.

Nëse ai do të vendoste ineteresat e shqiptarëve para interesave të tij, Rama do të ikte, do të na çlironte nga qeverisja e tij e dështuar dhe do të na linte të ecnim drejt Bashkimit Europian. Ndaj të mos ketë asnjë dyshim se ky vendim është një dështim personal për Edi Ramën. Nuk ka të bëjë me Shqipërinë, por ka të bëjë me Edi Ramën.

Nuk janë problemet e brendshme të Europës ato që pengojnë vendet europiane të hapin negociatat me Shqipërinë. Është korrupsioni, manipulimi i zgjedhjeve dhe sundimi i dështuar i Edi Ramës që nuk bind Bashkimin Europian.

Janë mijëra shqiptarë që kërkojnë azil në Francë, nën qeverinë e Edi Ramës, Shqipëria nuk është më i tyrja, po i një grushti oligarkësh dhe kriminelësh.

Në raport me popullsinë, numri i azilkërkuesve shqiptarë gjatë qeverisë së Edi Ramës është më i larti në botë. Krimi shqiptar është dhjetëfishuar në Hollandë, por trafikantët e drogës në Shqipëri shndërrohen në biznesmenë të fuqishëm, që pastrojnë para dhe blejnë gjithçka, drejtësinë, qeverinë, parlamentin.

Për të gjitha këto nuk e ka fajin Europa. Ky është dështimi personal i Edi Ramës.  Është ajo çfarë ka mbjellë 6 vjet në drejtimin e vendit, duke shkelur pa mëshirë interesat e shqiptarëve, duke i zbuar ata nga vendi dhe duke e bërë Shqipërinë parajsën e krimit të organizuar dhe të disa klientëve të tij, me të cilët grabit pasuritë e shqiptarëve dhe i varfëron ata.

Shumica dërrmuese e shqiptarëve e kanë kuptuar se përsa kohë Shqipëria do të drejtohet nga Edi Rama, vendi ka për të bërë vetëm hapa prapa. Edi Rama nuk ka ndërmend të përmbushë as 9 kushtet e Bundestagut gjerman, që për opozitën janë udhërrëfyesi për nxjerrjen e vendit nga kriza.

Vetëm duke siguruar zgjedhje të lira e të ndershme, vetëm duke zbatuar standardet më elementarë për barazinë para ligjit, Shqipëria do të bëhet si Europa dhe Europa do të na pranojë në familjen e saj.” përfundoi Kashahu.