Dështon për të pestën herë seanca ndaj Shullazit, Gjykata ndëshkon avokaten

0
11

Ka dështuar për të pestën herë ditën e sotme, seanca gjyqësore në ngarkim të Emiliano Shullazit dhe grupit të tij.

Shtyrja e seancës së sotme, u bë për shkak të mungesës së avokates së të pandehurit Gilmando Dani, Eralda Brahimasi.

Kështu gjykata vendosi të dënojë avokaten me 10 mijë lekë të reja gjobë, duke paralajmëruar se mungesa e saj do të referohet në Dhomën e Avokatisë.

Avokatja e Danit është e caktuar kryesisht, ndërkohë që për shkak të mungesës së saj, seanca u shty për në 25 mars.

Nga ana tjetër, gjykata vendosi të pezullojë afatet e paraburgimit për të akuzuarit.

Seancat e shtyra, vijnë pasi avokatët e të pandehurve kanë ankimuar vendimet për të pandehurit, duke kërkuar pafajësi për klientët e tyre.

Kujtojmë se më 13 nëntor Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi 14 vite burg për Emiljano Shullazin.

Ndërsa mbështetësi i tij kryesor Gilmando Dani u dënua me 12 vite burg, Endri Qyqa me 10 vite burg si dhe Blerim Shullazi me 9 vite burg.

Shullazi u shpall faktor për gjobëvënien ndaj biznesmenit Ylvi Beqja dhe Jani Zako, por shpëtoi nga akuzat për shkatërrim të pronës me eksploziv për dy raste dhe kanosjes së dy profesorëve Mynyr Koni dhe Dhori Kule