Dhoma e Avokatisë ka dalë kundër vendimit të qeverisë për të miratuar hartën e re gjyqësore. Kreu i Dhomës së Avokatisë Maks Haxhia deklaroi se hapi i tyre final do të jetë Gjykata Kushtetuese. Në një komunikim për mediat, kreu i Dhomës së Avokatisë, Maks Haxhia u shpreh se harta e re gjyqësore është antikushtetuese. Ai theksoi se në kushtet aktuale, hapi i radhës do të jetë Gjykata Kushtetuese.
“Demonstruam protestimin civil dhe demokrat pavarësisht mosdëgjimit. Pasojat janë direkte mbi ne dhe publikun. Ne dalin nga kjo sallë me një reputacion dhe të vendosur se kemi marrë qëndrim të drejtë. Për të qenë korrekt me kuadrin ligjor dhe statutin që rregullon gjithë veprimtarinë e Dhomës kjo mbledhje është në conform të të gjitha kërkesa dhe çdo vendim që do merret është conform ligjit. Tani hapi ynë final do të jetë Gjykata Kushtetuese. Këshilli ka ngritur një grup që do përgatisë material që do finalizohet me një kërkesë të përcaktuar conform ligjit”, tha ai.
Qeveria miratoi sot hartën e re gjyqësore që është kundërshtuar masivisht nga avokatët në vendin tonë për shkak se ul ndjeshëm numrin e gjykatave. Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja deklaroi pas mbledhjes së qeverisë se vënia në zbatim e kësaj harte do të nisë nga muaji shkurt i vitit të ardhshëm.