Dhuna ndaj mjekut, Manastirliu: Regjim i ri në spitale

0
11

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu del me deklaratë lidhur me dhunën ndaj mjekut të Urgjencës së Infektivit në QSUT, Genc Stroni.

Ministrja deklaroi se akte të tilla nuk do të tolerohen dhe për këtë arsye ka propozuar një ndryshim në Kodin Penal, për të konsideruar kanosjen ndaj bluzave të bardha, si vepër penale.

Po ashtu Manastirliu tha se do vendoset një regjim i ri në spital, ku nuk do të tolerohet që mjekët dhe infermierët që japin shërbim në spitale të kanosen.

“Do të vendosim një regjim të ri lidhur me oraret e vizitave në çdo pavion. Nuk do lejohet shoqërimi i pacientit nga familjarët, përveçse kur e kërkon mjeku. Sepse duhet të garantojmë punë ne mjekëve dhe infermierëve”, u shpreh ministrja.

Ajo shtoi se kjo masë do të merret menjëherë edhe me riorganizimin e shërbimit të sigurisë nëpër spitale, duke u vënë theksin në mënyrë të veçantë te shërbimi i Urgjencës.

Lidhur me arsyen e dhunës ndaj mjekut, ministrja tha se “E gjithë procedura është nën hetim nga prokuroria, ndaj i bëj thirrje autoriteteve që të zbardhin ngjarjen dhe të japin ndëshkimin e merituar”