Dialog për Hong Kongun

0
2

Marshimi i 1.7 milionë vetëve fundjavën e kaluar e detyroi guvernatoren e Hong Kongut të paraqesë një platformë dialogu që synon të lehtësojë gjendjen në rajon. Ajo përfshin edhe hetimin e forcës së përdorur nga policia. Ndërkohë, Twitter dhe Facebook akuzuan qeverinë kineze se është përfshirë në një luftë informacioni me përhapjen e lajmeve të rreme.

Pas fundjavës, kur në Hong Kong protestuan rreth 1.7 milionë vetë, guvernatorja Carrie Lam zgjati degën e ullirit dhe i ftoi në dialog protestuesit.

Ajo njoftoi se do të fillojë menjëherë punën për krijimin e një platforme dialogu, e cila ndër të tjera përfshin edhe hetimin e pretendimeve për përdorimin e forcës së tepruar nga policia.

“Shpresoj që ky dialog, do të bazohet në një mirëkuptim dhe respekt të ndërsjellë dhe do të gjejë një rrugëdalje për Hong Kongun e sotëm,” tha udhëheqësja e rajonit.

Nga ana tjetër guvernatorja Lam nuk njoftoi tërheqjen përfundimtare të projektligjit për ekstradimin që ishte nxitësi i protestave dhe kërkesa kryesore e protestuesve, por vetëm tha se nuk ka plane për ta ringjallur atë.

Hapja e dialogut vjen ndërsa raportohet se një punonjës i konsullatës britanike në Hong Kong është ndaluar nga autoritetet e Kinës.

Ministria e Jashtme britanike shprehu shqetësim për fatin e diplomatit Simon Cheng, ndërsa Ministria e Jashtme në Pekin refuzoi të komentojë.

Përveç dënimit të protesta dhe akuzave ndaj fuqive të huaja për nxitjen e dhunës, duket se Pekini është përfshirë edhe në një luftë informacioni. Lajmi është dhënë nga vetë Twitter dhe Facebook që kanë fshirë qindra llogari që përhapnin lajme të rreme në lidhje me gjendjen në Hong Kong.

Kompanitë gjithashtu akuzuan qeverinë e Pekinit për sponsorizimin e faqeve që synonin delegjitimimin e protestave që po mbahen në rajonin e posaçëm, disa prej të cilave i lidhnin protestuesit edhe me organizatën terroriste ISIS.

Facebook-u tha se hetimet gjetën përfshirje të individëve të lidhur me qeverinë kineze.

Ministria e Jashtme e Kinës nuk komentoi drejtpërdrejt për akuzat e dy kompanive të teknologjisë, por vetëm tha se edhe shtetasit kinezë duan që zëri i tyre të dëgjohet.