Dialogu Kosovë-Serbi, Haradinaj: Asociacioni i komunave duhet të jetë pjesë e marrëveshjes finale

0
6
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj i tha Zërit të Amerikës se Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të jetë pjesë e marrëveshjes përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndërsa qeveria duhet të trajtojë me kujdes situatën në veri.

Në intervistën me korrespondentin në Prishtinë, Besim Abazi, zoti Haradinaj tha se propozimi evropian i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara për një marrëveshje Kosovë – Serbi paraqet njohje të ndërsjellë pavarësisht që kjo nuk përmendet në dokument.

Zëri i Amerikës: Zoti Haradinaj, si e vlerësoni situatën aktuale në veriun e Kosovës dhe cila është rrugëdalja?

Ramush Haradinaj: Mendoj që është një situatë jo e mirë edhe kthim prapa, ky kthim prapa fillon me kursin e marrë nga kryeministri i Kosovës për planin për tabelat, duke mos përcjellur propozimin amerikan, por gjithashtu edhe me një agjendë mjaft djallëzore të Serbisë që nëpërmjet grupeve kriminale në veri po vazhdon ta destabilizojë veriun e vendit.

Zëri i Amerikës: Si të tejkalohet kjo?

Ramush Haradinaj: Besoj që rrugëdalja nga kjo gjendje është kthimi pikërisht atje te pikënisja, te propozimi amerikan për tabelat në atë kohë, por që tani nënkupton kthimin te marrëveshja finale pra bazike dhe jo te ajo lufta kush kënd e mund me veprime në terren, për shkak se lufta guerile me veprime gjoja të fitohet epërsi në terren, mund të dalë nga kontrolli dhe të krijojë pasiguri më të madhe.

Zëri i Amerikës: A është në teh që të ndodhë një gjë e tillë zoti Haradinaj nga pikëpamja juaj?

Ramush Haradinaj: Besoj që tanimë vetëm hetohet se edhe Prishtina zyrtare e kupton që kjo është një lojë djallëzore për të nxitur kundërveprime, ose reagimi të nxisë veprim dhe kësisoj çdoherë një pjesë të përgjegjësisë ta mbajë Prishtina për eskalimin e mëtutjeshëm të mundshëm të situatës në veri, edhe ashtu situata nuk është e mirë. Besoj që është mirë që Prishtina zyrtare është përmbajtur këtë kohën e fundit dhe ka një koordinim me aleatët, mirëpo është me rëndësi edhe me shumë interes besoj që të hiqen barrikadat, është një njollë për Kosovën, për rajonin, për Evropën.

Pra përpos Ukrainës ku po ndodhë agresioni rus, situata të tillë si pozicione në front nuk ka në Evropë dhe mendoj që serbët e Kosovës po i bëjnë dëm vetes edhe i lus e ju bëj thirrje që t’i heqin këto barrikada. Kuptohet të gjitha shqetësimet e tyre do të trajtohen me respekt e kujdes si nga Kosova por edhe nga faktorët ndërkombëtarë.

Zëri i Amerikës: Si të hiqen ato zoti Haradinaj, nëse serbët nuk i heqin?

Ramush Haradinaj: Besoj që barrikadat janë së pari në mendje, në bindje dhe besoj që një dialog më intensiv me serbët lokal është i nevojshëm. Pra pa paragjykimi se kush janë ata serbë dhe çfarë përfaqësojnë, kushdo që ka pushtet mbi barrikaduesit, mbi ata që kanë vendosur barrikadat, mendoj që duhet të vendoset dialog intensiv që të sqarohen ata edhe të sqarohet çdo, po e quaj ashtu paqartësi për të ardhmen, por barrikadat duhet t’i heqin vet serbët, vet ata që i kanë vendosur.

Zëri i Amerikës: Zoti Haradinaj thatë se duhet të trajtohen kërkesat e tyre, kërkesa themelore që është përsëritur madje edhe nga Beogradi është që heqja e barrikadave dhe kthimi i serbëve në institucione mund të ndodhë vetëm me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, një kërkesë që është theksuar fuqishëm edhe nga administrata amerikane. Si të veprohet?

Ramush Haradinaj: Besoj që bëhet fjalë për dy etapa, pra një etapë është vetëm heqja e barrikadave, qarkullimi i lirë, jeta, kthimi në shkolla, kthimi në jetë ta quaj ashtu ajo baza e parë. Kjo lidhet me këto arrestimet e fundit të këtyre policëve dhe personave të tjerë që i ndjek drejtësia, shpresoj të gjendet një formulë që drejtësia ta kryejë misionin e vet, por edhe qytetarët serbë dhe barrikaduesit ta kuptojnë se nuk është kundër tyre dhe të hiqen barrikadat. Ndërsa po është thënë që kthimi në institucione do të ndërlidhet me Asociacionin, por me siguri që këto janë procese të dyja, edhe kthimi edhe Asociacioni nuk janë çështje që zgjidhen njëherësh ose për një ditë. Mendoj se sa i përket Asociacionit zgjidhja vjen me marrëveshjen finale, ndërsa kthimi në institucione është një proces i brendshëm që duhet të ndodhë edhe Prishtina duhet të intensifikojë një dialog të brendshëm me serbët lokal. /VOA

Zjarr Tv Ad