Suksesi në Superkupë në dukje ishte një rikthim i Partizanit si triumfator në futbollin shqiptar pas një aventure të dështuar në Europë. Fitorja përballë Kukësit ishte një sinjal pozitiv por që u harrua menjëherë pas disfatës në premierën e kampionat. Shpëtim Duro i dha një leksion të pastër, një humbje që ka trazuar jo pak ambientin e kuq. Ndryshe nga se mendohej, Partizani jo vetëm që nuk është dominues por dukshëm ka shumë probleme.
Impakti i Franko Lerdës nuk është ai që drejtuesit e kuq mendonin. Italiani është një profil krejt ndryshe nga Skënder Gega, trajneri që solli titullin në kryeqytet pas 26 vitesh. Më shumë se sa për aftësitë e tij taktike në fushë, Lerda është komentuar për mënyrën se si po menaxhon grupin. Duke filluar nga përplasjet me ndihmësit e tij e deri tek e fundit, lënia në tribune e Asanit, në shtëpinë e kuqe ka gjithnjë një çështje për tu diskutuar.
Lerda është ende në kërkim të fitores së parë në stolin kryeqytetas, në ndihmë të italian këtë herë vjen kalendari. Këtë të mërkurë Partizani luan në transfertë kundër Luftëtarit ndërsa në fundjavë pret Flamurtarin në kryeqytet. Në letër janë dy kundërshtarë ideal për të marrë pikë të plota, nëse kjo nuk ndodh problemet për Lerdën do të shtohen ndjeshëm.