Dita e Demokracisë, analisti: Dikur 140 deputetët deklaronin 180 libra të botuar, sot me krenari deklarojnë 180 makina luksoze dhe vila

0
60
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Nga Afrim Krasniqi

15 shtatori është Dita Ndërkombëtare e Demokracisë. Dikur ishte ditë me simbolikë të madhe, frymëzuese dhe reflektuese. Tani “demokracia“ nuk është shumë në modë dhe modelet autoritariste dhe populistët po dominojnë ligjërimin politik dhe shumë prej shteteve demokratike. Me përjashtim të pjesës më të madhe të Evropës, ca vende në kontinentin amerikan dhe ca më pak në Azi dhe ndonjë vend i veçuar në pjesë të tjera të globit, pjesa tjetër e botës është në krizë vlerash përfaqësimi, nën regjime hibride me dominim totalitar, antidemokratik, ushtarak, ideologjik apo refuzues ndaj simbolikës së ditës.

Po Shqipëria? Vendi që rreth tri dekada më parë pati lëvizjen më elitare për ndryshimin e sistemit drejt demokracisë, sot është peng i një elite konsensuale korruptive, marksiste në mentalitet e autoritariste në veprim, të paaftë të ofrojë ndryshime dhe konsensuale në zhbërjen e vlerave demokratike. Kurba e progresit të demokracisë është zhgënjyese: në fillimet e tranzicionit kishte korrupsion, por kishte më shumë demokraci brenda partive politike; kishte abuzim me pushtetin, por kishte më shumë hapësirë konkurruese.

Sot vijon trendi negativ i kufizimit të demokracisë. Dikur adhuronim modelin Thaçer apo Regan, sot adhurojmë modelin Erdogan e Salvini. Krijuam parti për të jetësuar pluralizmin dhe sot ato janë shndërruar në bunkerë strehues të 2-3-4 emrave riciklues në pushtetet e tranzicionit. Krijuam sistem votimi për të pasur konkurrencë dhe sot jemi në kohën e votimit formal, ku çdo zëri kritik i ndërpritet në sekondë karriera politike nëse ka një mendim ndryshe nga shefi. E nisëm me deputetë që vinin nga auditoret universitare dhe arritëm tek ata që na i përzgjedhim nga bota e krimit dhe oligarkia. Dikur 140 deputetët deklaronin180 libra të botuar, sot me krenari deklarojnë 180 makina luksoze dhe po kaq vila në zona turistike në pronësi.

Dëmi më i madh që i bëhet demokracisë nuk është vetëm mohimi i jetësimit të saj, por keqpërdorimi, kultura e jetesës me të keqen si zgjidhja e vetme, nënshtrimi si opsion mbijetese, pragmatizmi duke hequr dorë nga vlerat, identiteti dhe idetë, inkurajimi i sundimit antidemokratik duke keqpërdorur termat dhe ligjërimin demokratik, imponimi i këtij modeli abuzues si model inspirues. Ndaj Shqipëria e sotme, ashtu si ajo e 1990, 1991, 1997, 1999, 2004, 2009, 2013, 2017, 2021 vijon të jetë vend i ikjes së elitave, i ikjes së brezave më të rinj, i ikjes së atyre që kanë potencial ndryshimi cilësor, – dhe njëherësh, vend ku distanca ndaj pushtetit e qytetarëve është e thellë dhe piramida e vlerave gati e përmbysur.

Cili është debati e elitave sot? Vendi i Shqipërisë në botë dhe sfidat shqiptare në rajon? Rrugëzgjidhjet për ri-ngritje morale apo identiteti i vlerave? Korrektimi i sistemit politik dhe përfaqësues? Rreziku i ndikimeve lindore dhe raporti me Perëndimin? Liritë individuale dhe raporti me ligjin dhe kulturën demokratike? Kriza e thellë arsimit dhe ndikimi i valëve të emigrimit në të ardhmen? Jo, as njëra dhe as tjetra. Asnjë nuk flet për këto tema.

Temë kryesore vijnë të jenë batutat dhe veshjet e kryeministrit, statuset në FB të ish kryeministrit, akuzat reciproke për midis oligarkisë, grindjet mes ca çunave të “shkathët” të lagjes që politika i bëri ministra e deputetë, “reforma” e vaksinimit me detyrim apo vullnetar, gara për tu dukur më pashëm në TV, ndërkohë që vijon gara e të pasurve për kulla shumëkatëshe në qendër të Tiranës dhe resorte turistike në tokën e dhuruar nga klientela e pushtetit, vijon emërimi i elitave dhe promovimi i më të korruptuarve, dhe me paktin e djallit, oligarkia politike na mban peng në progresin tonë drejt BE apo shanseve për shtet të së drejtës e demokraci më funksionale. Debat bosh, monolog, qeveri si media dhe media si biznes ndërtimi. Asnjë më shumë. Asgjë elitare. As reformë, as strategji, as shenja maturimi, as hapësirë për debate kritike dhe as alternative për ndryshim.

E ardhmja? Ka skenarë të ndryshëm, por ajo mbetet pasqyrim e produkt i të kaluarës dhe të tashmes tonë. Duke perifrazuar një mendje librash jo shqiptare, – jeta e një shoqërie, sprovat, potenciali dhe sfidat e saj janë shumë më të gjata e më komplekse se jetët natyrale të çdo individi sado i pushtetshëm qoftë ai dhe se potencialet negative të një brezi sado gabim të jetë ai. A jemi ne brenda këtij përcaktimi? Fëmijët tanë po, me siguri, bashkë me ata pas tyre. Ne, të sotmit, – jo, ashtu si të djeshmit, – sepse në dy rastet kanë/kemi zgjedhur ose pranuar në emër të pragmatizmit të bëhemi bashkëfajtorë, – të heqim dorë nga liritë tona, nga të drejtat tona, nga aspiratat dhe fuqia jonë. Dhe ky mesazh i thotë të gjitha në Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë dhe raportin tallës të Shqipërisë së sotme politike dhe militante me të.

Zjarr Tv Ad