Dita e Rinisë, Meta: Mirënjohje të gjithë studentëve

0
19
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka dhënë një mesazh në Ditën e Rinisë. Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në Facebook, Meta ka shprehur mirënjohje për të gjithë studentët që 28 vite më parë vërshuan në rrugët dhe sheshet e Tiranës.

Kreu i shtetit kujton me nderim liderin e lëvizjes studentore, Azem Hajdari, i cili me guxim, kurajo e shpirt sakrifice frymëzoi ato minuta e orë vendimtare për mijëra studentë.

Në përfundim të mesazhit të tij, Meta inkurajon dhe mbështet të rinjtë e sotëm, duke iu kërkuar të bëhen pjesë e proceseve demokratike në vend.

Mesazhi i Presidentit Ilir Meta:

Mirënjohje të gjithë studentëve, të rejave e të rinjve, të cilët 28 vite më parë vërshuan në rrugët dhe sheshet e Tiranës, me thirrjen që kumbonte nga gjokset e tyre rinore “E duam Shqipërinë si gjithë Europa” dhe “Liri-Demokraci”, për të shndërruar 8 Dhjetorin në Ditën e tyre, Ditën e Rinisë, Ditën e Lirisë, Ditën e Europës.

Kujtojmë me nderim veprën e Azem Hajdarit, liderit të Lëvizjes Studentore, i cili me guxim, kurajo e shpirt sakrifice frymëzoi ato minuta e orë vendimtare për mijëra studentë, të rinj, pedagogë e intelektualë, për të kthyer në Shqipëri lirinë e munguar.

Jehona e thirrjeve “Liri-Demokraci” dhe e “E duam Shqipërinë si gjithë Europa” të 8 dhjetorit 1990 është ende një aspiratë, jo plotësisht e realizuar.

Inkurajoj dhe mbështes rininë e sotme, veçanërisht studentët, të cilët me shpirtin e tyre të lirë, energjinë, guximin e kurajon e pashembullt të marrin aktivisht pjesë në proceset demokratike për europianizimin e plotë të vendit dhe për ndërtimin e një të ardhmeje të sigurtë të tyre në Shqipëri.

 

Zjarr Tv Ad