Ditmir Bushati, i lënë jashtë listës së PS-së për zgjedhjet e 25 Prillit, i ka kujtuar kryetarit të partisë së tij, Edi Rama përgjegjësinë për ekonominë dhe modelin zhvillimor të vendit, në 8 vitet e qeverisjes.
Kryeministri sot nga Shkorda i sugjeroi, një pronari fasonerie që të merrte punëtorë të huaj nga Bangladeshi, Afganistani dhe India, pasi sipërmarrësi u ankua se nuk kishte fuqi punëtore. Gjithashtu Edi Rama shtoi se të huajt, “janë pronto, nuk dinë as shqip dhe nuk merren me thashetheme”.
Por Bushati, në një postim në Facebook replikon me Edi Ramën, duke i thënë s’e përpara se t’i përkufizojë shqiptarët si ‘thashethemexhinj’ e “dembelë”, duhet të pyesë veten a mban ndopak përgjegjësi.
E ndërsa i kujton sërish Edi Ramës, koncesionet në rafinerinë e Ballshit dhe minierën e Bulqizës, Bushati shprehet se shteti duhet të kujdeset për të drejtat e punonjësve në sektorin privat, për shëndetin dhe sigurinë e tyre në punë.
“Para se t’i përkufizojmë shqiptarët si “thashethemexhinj” e “dembelë”, duhet të pyesim veten a mbajmë ndopak përgjegjësi për strukturën e ekonomisë shqiptare dhe modelin zhvillimor që me Gjovalinin, dhe shumë sipërmarrës si ai në sektorin e fasonerisë në Shkodër, kam pasur mundësi t’i takoj disa herë e të bisedoj për sfidat me të cilat përballet sektori. Natyrisht, asnjë vend nuk është zhvilluar nga të tjerët. As Shqipëria nuk bën përjashtim. Ndaj, nuk ka sesi të vij zgjidhja magjike përmes zëvendësimit të shqiptarëve që ikin drejt veriut të Europës dhe Amerikës me Bangladeshas, Afgan dhe Indian, meqë këta të fundit nuk paskan pretendime. Në fakt, në të dy rastet bëhet fjalë për njerëz dhe jo robot!
Mirëqenia në shoqëri është produkt i kontributit të komunitetit. Fjala vjen, rafineria e Ballshit apo miniera e Bulqizës, nuk mund të jenë vetëm ‘pronë e koncesionarit’, sepse aty kanë kontribut punëtorët, komuniteti lokal dhe shoqëria.
Kjo është arsyeja që të tilla biznese duhet të paguajnë detyrimet që punëtorët dhe komuniteti lokal të jenë pjesëmarrës në të mirën që sigurohet nga sipërmarrja. Sipërmarrësit në partneritet me shtetin duhet të investojnë për kapacitetet njerëzore, për t’i zhvilluar e jo thjesht shfrytëzuar këto sektorë të ekonomisë.
Sado i suksesshëm të jetë një sipërmarrës nuk bën dot pasuri e as prodhon të mira për shoqërinë pa ekipin apo punonjësit. Për një parti të qendrës së majtë, puna, djersa e punëtorit, risku i sipërmarrësit në investim dhe vlera e shtuar në ekonomi, duhet të kenë përparësi absolute.
Në këtë kontekst, shteti duhet të kujdeset për të drejtat e punonjësve në sektorin privat, për shëndetin dhe sigurinë e tyre në punë. Ndërkohë që me sipërmarrësit duhet të vendoset një raport besimi e mirëkuptimi që lehtëson rrugën e sipërmarrjes jo vetëm në funksion të xhepit të tyre, por të sigurimit të të mirave për shoqërinë.
Ky episod na fton që të mos mbetemi as tek konstatimi dhe as tek mohimi i ikjes së shqiptarëve drejt veriut të Europës dhe Amerikës. Pa rikonceptimin e strukturës ekonomike dhe modelit zhvillimor nuk do të mund të frenojmë braktisjen e vendit. E as do të jemi në gjendje të identifikojmë avantazhin e krahasuar të ekonomisë shqiptare, apo të përqafojmë vlerat sociale europiane për punonjësit” shkruan Bushati.
Edi Rama përjashtim nga lista e kandidatëve për deputetë e argumentoi me faktin që sipas tij Ditmir Bushati kishte zbritur nga treni duke nënkuptuar se ishte pasiv nga momenti që u zëvendësua si drejtues politik i qarkut të Shkodrës dhe se ka mbajtur fjalime publike në vend që të ishte i fokusuar te puna në terren. Bushati u përgjigj “Nuk ka rëndësi se në cilin tren udhëtoni, e rëndësishme është në cilin stacion treni ndaloni”. Ndërkohë që “lufta” në distancë vijon…