Djali i Sokol Olldashit: Ju tregoj Bashën, Berishën, Ramën dhe…

0
287

 Glauk Olldashi është vetëm 19 vjeç, por me një dëshirë të madhe për të marrë pjesë e për të folur mbi politikën shqiptare. Djali i madh i Sokol Olldashit, në këtë intervistë të tij të parë për një media, vlerëson në këndvështrimin e tij eksponentët kryesorë të politikës tonë.

Glauku është i matur. Nuk ka asnjë fjalë të tepërt apo të pamenduar mirë për askënd. As për Lulzim Bashën, as për Edi Ramën, as për Monika Kryemadhin apo liderin historik të PD, Sali Berishën. E shohim ndryshe nga çka jemi mësuar të lexojmë e të dëgjojmë në arenën e Tiranës.

Glauku nuk sulmon, nuk ofendon, por vëzhgon në pritje për të vepruar. Ky 19 vjeçar, në dëshirën e tij për të kontribuar aty ku gjërat i la në mes babai i tij i dashur, mbart në vetvete trashëgiminë politike nga i ati, apo nga familja Olldashi, të cilën dy gra të forta, gjyshja e tij Kozeta dhe mamaja Enkeleda, sot drejtojnë.

Ju jeni djali i njërit prej liderëve historikë të Partisë Demokratike, që ka humbur tragjikisht jetën në një aksident rrugor. Le ta nisim nga jeta juaj aktuale: Ku banoni dhe me çfarë merreni saktësisht?

Fillimisht dua t’ju falenderoj per ftesën. Aktualisht banoj në Angli dhe po vazhdoj studimet në degën Ekonomi Politike.

Deri sot, ju nuk keni ndërhyrë kurrë në debatin politik shqiptar. Kur e pranuat këtë invervistë, u befasova t’iu dëgjoja të shpallnit synimin për të zbritur në fushë. Çfarë keni saktësisht ndër mend dhe si mendoni ta konkretizoni këtë angazhim tuajin në politikë?

Kjo është e vërtetë. Gjithmonë e kam pasur politikën pasion dhe e kam ndjekur nga afër ndonëse nuk jam prononcuar publikisht. Arsyeja pse kam vendosur të angazhohem politikisht është për shkak të situatës delikate në të cilën ndodhet Shqipëria sot. Gjithashtu e shoh të udhës që brezi i ri të angazhohet për të ofruar zgjidhje të reja problemeve të vjetra që e kanë shoqëruar vendin tonë. Në politike fjala është shprehje e mendimit dhe ajo vjen pas tij. Babai im e kishte vërtet këtë armë dhe ngelet për t’u parë nëse fjala ime ka apo do të ketë peshën e duhur në mjedisin politik shqiptar.

Konkretisht, ju mendoni të lini Londrën e të ktheheni të jetoni në Shqipëri, për t’u angazhuar direkt në jetën politike shqiptare?

Kam pasur gjithmonë në plan që të kthehem në Shqipëri pas studimeve. Situata e tanishme politike në vend padyshim më ka shtyrë edhe më shumë që ta konkretizoj këtë vendim.

Kjo është një ide që e bluani prej kohësh? Dhe përse keni vendosur pikërisht tani ta hidhni këtë hap?

Sinqerisht, nuk e di se sa duhet të jem i vërtetë tek kjo përgjigje. Nuk është një ide, apo mendim …është një ndjesi, që duhet të ketë qenë kaherë brenda meje, edhe pse nuk e kam ndarë me shumë njerëz. Besoj se është një kombinim i situatës politike dhe pasionit tim të hershëm

Keni biseduar për këtë ide me nënën dhe familjen tuaj? Çfarë mendojnë ata?

Padyshim që e kam biseduar me ta dhe kam mbështjetjen e tyre të plotë për të kontribuar në sferën politike shqiptare.

Keni mbajtur dhe keni kontakte me miq të babait tuaj? Me kë në mënyrë të veçantë? Dhe çfarë mendojnë ata për projektin tuaj?

Po kam ruajtur marrëdhënie miqësore me cilindo mik të babait tim.

Do të doja t’ju bëja më të njohur për publikun shqiptar, duke ju bërë disa pyetje të drejtpërdrejta mbi personazhet aktuale të politikës shqiptare. Le ta fillojmë nga lidershipi aktual i Partisë Demokratike. Ç’mendim keni për Lulzim Bashën?

Ndonëse nuk e njoh personalisht Lulzim Bashën, e vlerësoj për punën që ka bërë si kryetar i frontit opozitar në vend.

Çfarë mendoni për Sali Berishën?

Zotin Berisha kam pasur kënaqësinë ta takoj në një moshë fare të vogël, por nuk mund të them që kam njohje personale. Respektoj kontributin e tij si themelues dhe lider historik të Partisë Demokratike, dhe ndikimin e tij në progresin e shtetit Shqiptar.

Çfarë mendoni për Monika Kryemadhin si kryetare e LSI-së? Po për presidentin Meta?

Me familjen Meta kam njohje personale të hershme kryesisht prej miqësisë që kam me djalin e tyre. Respektoj zotin Meta dhe zonjën Kryemadhi për përvojën e tyre politike.

Çfarë mendimi keni për vendimin e marrë nga opozita për të djegur mandatet parlamentare dhe për ta radikalizuar protestën, duke përdorur sheshin në vend të Parlamentit?

Kur vendimet merren me një konsensus të gjerë, ato duhen gjykuar gjithnjë si të drejta, edhe pse mund të mos rezultojnë si të tilla. Ky është një vendim ekstrem, por me të drejtë i marrë në një moment po aq ekstrem në fushën politike. Fakti që qytetarët në një vend demokratik protestojnë në mënyrë paqësore në shesh nuk përbën qasje radikale nga opozita.

Ku jeni dakord me veprimtarinë e Partisë Demokratike në këto 5 vjet e gjysmë opozitë? Dhe ku, sipas jush, ka gabuar?

Kjo do të kërkonte një analizë, që ndoshta është momenti për t’u bërë, por jo nga unë përmes kësaj interviste. Padyshim që është shumë e lehtë të gjesh gabime në sjellet politike të secilës parti por kjo nuk do të thotë që në tërësi vendimarrja ka qenë e gabuar.

Çfarë mendimi keni për Edi Ramën dhe qeverinë e tij? Ku jeni dakord (në se ka diçka) dhe ku ka gabuar?

Përsëri do të ishte e vështirë që të ofrohej një analizë e plotë por nuk mund të mohohet progresi që ka bërë Shqipëria në këto vite, nga ana tjetër, për sa i përket gabimeve gjatë “Qeverisë Rama” nuk besoj se mjaftojnë faqet e gazetës per t’i rradhitur të gjitha.

Mendoni se PD duhet të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme vendore?

Ky është një vendim, sa politik, aq edhe historik. Duhet të dinë ta vlerësojnë sa dhe si vendimmarrësit përkatës. Forcat politike duhet të përballen me votën e qytetarëve për aq kohë sa garantohet një proces zgjedhor demokratik dhe transparent.

Nëse PD ju ofron të kandidoni si kryetar i Bashkisë në Tiranë apo në Durrës, ju do ta pranonit?

Mendoj se është detyrë e brezit të ri që të angazhohet politikisht, sidomos në këtë kohë delikate për politikën shqiptare. Për sa i përket pyetjes konkrete mendoj se është shumë larg realitetit.

Në rast se do të kishit “carta bianca” dhe do të kishit mundësi të vendosnit, çfarë do të ndryshonit në politikë dhe në qasjen e Partisë Demokratike? Cilat figura do t’i kishit kthyer dhe cilat do t’i përjashtonit?

Personalisht do të incentivoja anëtarësimin e sa me shumë të rinjve në PD, me bindjen që zgjidhje të reja të ofrohen për ngërçin ku ndodhet vendi jonë.

Si mendoni se do ta presin Lulzim Basha dhe Sali Berisha hyrjen tuaj në PD? Nuk kini frikë se do t’iu bëhej e njejta rezistencë që iu bë babait tuaj?  

Fillimisht dua të sqaroj se tim ati nuk ka mundur kush t’i bëjë rezistencë për të hyrë apo për të ndenjur në Partinë Demokratike. Për sa i përket aktivizimit tim politik ngelet per t’u marrë një vendim konkret.

Shqiptarja.com