Në takimin që ish-kryeministri Sali Berisha mbajti me të rinjtë e FRPD-së në Lushnje, ishte i pranishëm edhe Glauk Olldashi, djali i ish-deputetit të ndjerë Sokol Olldashi.
Ai u bëri thirrje të rinjve lushnjarë që të votojnë Elton Banon, ndërsa tha se asnjë nuk do mundet kurrë ta shuajë zjarrin në zemrat e demokratëve.
“Jemi 9 vjet që strapacohemi dhe lodhemi në gjithë këtë opozitë. 9 vjet që të paktën 1 herë jemi zhgënjyer të gjithë.
Dhe kësaj radhe mund të duket akoma më e vështirë sepse jemi kundër të gjithëve, jemi kundër krimit, jemi kundër oligarkëve, jemi kundër kryetarit… pra sot nuk është e vështirë të mendojmë që jemi në pikën tonë më të ulët.
Ama një gjë është e sigurt që të gjithë këta bashkë, jo sot, por gjithmonë të bëhen bashkë, nuk do munden kurrë ta fikin zjarrin që është në zemrat e çdo demokrati. Nuk dua të ndalem gjatë, por për Elton Banon besoj se nuk ka nevojë t’i bëj lëvdata dhe kam vetëm një mesazh nëse mund të quhet që t’ia themi të gjithëve, edhe atyre që nuk janë me ne, edhe atyre që janë socialistë dem baba dem, që Elton Bano nuk është vetëm kandidati ynë, por është kandidati i të gjithë Lushnjes”, tha Glauk Olldashi.