Ardian Halili, babai i 22- vjeçarit Estref Halili i cili pasditen e djeshme i dha fund jetës në burgun e Rrogozhinës flet për herë të parë.
Ai thotë se djali i tij e ka bërë këtë akt ekstrem për shkak të ngarkesës psikologjike.
Në vijim bën me dije se Estrefi nuk e kishte mbushur vitin që kishte dalë nga burgu.
“U kap me 3 gramë hashash që po e pinin shokët e tij. Mori përsipër veprën penale dhe e dënuan me 3 vjet burg. U lirua në shkurt por u kap sërish në 22 dhjetor për një cigare hashash. Më datë 27 e dërguan në Rrogozhinë. E arrestuan për të dytën herë për një cigare hashash. Të tjerët që trafikojnë drogë me kamionë shëtisin të lirë… Para 4 ditësh, kur e takoi djali i madh ai rrinte i heshtur”, tha ai për “News 24”.
Pasditen e së martës, Estref Halili u gjet i vetëvarur në burgun e Rrogozhinës.
22- vjeçari nga fshati Kolonjë i Lushnjes, u gjet i varur me xhaketën e tij në dritaren e tualetit të burgut, ndërsa nuk dihen ende shkaqet që e shtynë drejt fundit fatal.
Ai u ndalua në 26 dhjetor nga policia , pasi në makinën e tij tip ‘Volkswagen’ u gjet një dozë lëndë narkotike kanabis, si dhe një thikë.