Deputeti tashmë i zgjedhur demokrat i qarkut të Lezhës, Agron Gjekmarkaj ka deklaruar këtë të mërkurë se ai do të bëjë gjithçka që të mërzisë Kryeministrin Edi Rama në parlament.
“Do bëj gjithçka që kryeministri të mërzitet”, tha Gjekmarkaj në një intervistë për TCH.
Më tej, Gjekmarkaj u shpreh se këto zgjedhje nuk do të njihen dhe nuk do të pranohen, por Parlamneti nuk do të lihet bosh nga Partia Demokratike.
“Në mënyrë që këto të jenë vërtet të kombinuara të jenë bindëse por mendoj se shumë shpejt demokratët dhe qytetarët do të jenë kudo për tu përballur me këtë hajdutëri të pazakontë të vjedhjeve në Shqipëri. Ne nuk do ta lëmë bosh Parlamentin, ne duhet të mbrojmë pozicionet tona.
Duhet të mbrojmë përfaqësimin dhe vullnetin e qytetarëve shqiptarë madje dhe të asaj pjese që iu ble dhe iu trukua vota. Por, sigurisht këto zgjedhje nuk do të njihen nuk do pranohen, por Parlamenti nuk do të jetë bosh”, tha Gjekmarkaj.
Pas humbjeve zërat që kërkojnë largimin e Lulzim Bashës janë shtuar. Por Agron Gjekmarkaj nuk sheh vend për dorëheqje të lidershipit për sa kohë humbja sipas tij e kishte shkakun përtej gardhit të selisë blu.
“Këto zgjedhje nuk janë fituar se janë vjedhur.A ka vend për reflektim? Sigurisht ne kemi pritur fitore dhe për arsye teknike më saktë inxhinjerike fitorja nuk erdhi dhe vend për reflektim ka, tek Zoti Basha tek unë tek të gjithë. Por nuk mendoj se lidershipi i Zotit Basha vihet në diskutim.
Tani nuk është koha të mos krijojë probleme artificiale dhe të spostojmë vëmendjen. Sepse kryeministri është i interesuar që debati të zhvillohet tek Partia Demokratike,” përfundoi Gjekmarkaj.