E gjithë vëmendja e shtypit spanjoll pas suksesit të Realit në Skoci ka qenë gjendja e kapitenit, Karim Benzema. Ndaj të gjithë kanë qenë me sy e veshë nga trajneri Karlo Ançeloti. Pa nisur mirë pyetjet nga ana e gazetarëve, tekniku italian ka qetësuar madrilenët, duke theksuar se kapiteni nuk ka ndonjë problem shqetësues.
“Nga një shikim i shpejtë nuk duket të jetë diçka shqetësuese, por duhet të presim analizat më të hollësishme për të konfirmuar ndjesitë pozitive që kemi. Provat e para nuk kanë shfaqur asgjë serioze”, ka thënë Ançeloti.
Benzema nuk ka qenë i vetmi i dëmtuar nga madrilenët. Edhe Militao ka qëndruar në dhomat e zhveshjes duke u zëvendësuar nga Rydiger. Por edhe braziliani nuk duket të ketë pësuar ndonjë dëmtim serioz.
“Militao ka pasur një mbingarkesë dhe nuk kemi dashur të rrezikojmë me të. Mendoj se Rydiger e ka bërë mjaft mirë punën e tij. Më vjen mirë që kemi fituar pa pësuar gol, por dua të shoh në fushë Realin e 45 minutave të dyta”, ka shtuar Ançeloti.
Më pas trajneri i Madridit është ndalur te suksesi në “Celtic Park”.”Sëlltiku ka një skuadër shumë të mirë dhe në pjesën e parë na ka vënë në vështirësi serioze. Atmosfera e krijuar në stadium ka qenë e pabesueshme, po luanim në një ferr. Ndaj skuadrave të tilla është normale të vuash në pjesën e parë, por edhe një herë kemi treguar se dimë të vuajmë pa humbur orientimin. Pjesa e dytë më pas ka qenë një recital i Realit, e them me sinqeritet këtë”.
Në fund përgëzime edhe për Hazardin. “Nuk e pati të lehtë kur u fut në fushë, por ka qenë vendimtar me golin dhe pasimet e tij. Është një lojtar shumë i rëndësishëm për ne. Uroj të ketë vazhdimësi në lojë”, ka thënë Ançeloti.
PANORAMASPORT.AL