Dorëheqja e Haradinajt/ Albin Kurti: Tre arsye pse Kosova duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme

0
1

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje në Kosovë, Albin Kurti kërkon mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj, i thirrur nga Gjykata Speciale, Kurti, përmes një postimi në rrjetet sociale tregon edhe tre arset, sipas tij, pse presidenti Hashim Thaçi duhet të thërrasë partitë politike për caktimin e datës së zgjedhjeve.

Postimi i plotë i Albin Kurtit:

Zgjedhje? Po. Kur? Menjëherë.

Tri arsye pse Presidenti duhet t’i thërrasë partitë politike për datën e zgjedhjeve pa patur nevojë ta rilexojë nenin 95, pika 5, të Kushtetutës së Republikës së Kosovës:

  1. Kuvendi i Kosovës i është nënshtruar një deformimi të dyfishtë të vullnetit të qytetarëve pas zgjedhjeve të 11 qershorit 2017:
    a) Shtator 2017: AKR kalon nga LAA te PAN dhe mundëson formimin e qeverisë;
    b) Maj 2018: një dyzinë deputetësh ikën nga LVV te një partiçkë që garoi me PAN-in, dhe ia votuan qeverisë buxhetin 2019.
  2. Pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese KO 43/19, më 27 qershor 2019 (mbi të ashtuquajturin ligj dhe delegacion për dialogun me Serbinë), pozita në pushtet e ngelur si qeveri e pakicës përfundoi edhe anti-kushtetuese.
  3. Me të dhënë dorëheqje ish kryeministri, të gjitha subjektet politike, si ne të opozitës po ashtu edhe ato të koalicionit qeveritar, kanë deklaruar që janë për zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Në këto rrethana, duhet shpërndarë Kuvendi. Kjo qeveri që kishim s’rrinte dot në këmbë. Ky Kuvend që kemi s’mund të mëkëmbë qeveri. Efektivisht, neni 82, pika 2, i rrin situatës së krijuar. Çfarëdo që bën Presidenti e kjo nuk është për datë të zgjedhjeve të reja vetëm sa e zvarrit procesin duke e dëmtuar shtetin e Kosovës dhe interesin e qytetarëve.