“Fillimi i punimeve për rindërtimin dhe zgjerimin e Maternitetit ‘Mbretëresha Geraldinë’ është një moment shumë i rëndësishëm jo vetëm për ne si staf mjekësor, por së pari për kujdesin dhe shërbimin dinjitoz për nënat e reja dhe fëmijët”.
Drejtoresha e Maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”, dr. Eliona Demalia u shpreh për Newsbomb se projekti ruan autenticitetin e godinës historike dhe rindërtohet dhe zgjerohet shtesa që ishte dëmtuar nga tërmeti.“Pjesa e shembur që do të ndërtohet, ishte jashtë funksionit që prej tërmetit të shtatorit, sepse nuk kishte siguri për shkak të dëmtimeve dhe ishte e rrezikshme për të punuar dhe për të mbajtur aty nënat dhe te porsalindurit. Ndërsa godina kryesore do rehabilitohet, do të ruhet fasada dhe gjithë elementet historike”, tha drejtoresha e Maternitetit.Investimi për rehabilitimin e maternitetit të vjetër të Tiranës do të rrisë kapacitetet aktuale.
“Është një projekt i shumëpritur për ne si staf mjekësor, pasi do të sigurojë kushte dinjitoze për nënat e reja dhe fëmijët që vijnë në jetë në maternitetin tonë por edhe do të dyfishohen kapacitetet, gjë që është mëse e nevojshme”, tha Demalia.